A ka ardhur koha që Rrapi i Bezistanit ‘t’i hapë rrugë’ Bazilikës paleokristiane? Flasin intelektualët

Bazilika dhe rrapi i Bezistanit janë dy monumente të rëndësishme për historinë e qytetit të Elbasanit. Rrapi si pjesë e memories shpirtërore ndërsa bazilika e zbuluar jo shumë kohë më parë mbart vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë dhe historisë.
Sheshi qe mban keto monumente është pjesë e identitetit të qytetit që dikur kishte një peshë shumë të rëndësishme me pazarin e famshëm të Bezistanit.
Bazilika është zbuluar gjatë gërmimeve në vitin 2007 dhe arkeologët besojnë se ka akoma shumë për të zbuluar, por rrapi qëndron mbi bazilikë duke mos i dhënë mundësi arkeologëve të zbulojnë më tej gjithë qytetërimin e nëndheshëm që mendohet të jetë aty.
I pyetur nëse ka ardhur momenti të diskutojmë zhvendosjen e rrapit për hir të zbulimit të pasurive të nëndheshme të trashëgimisë kulturore Fatbardh Marku nuk ka asnjë dyshim.
Si intelektual dhe njeri i artit Marku thekson se bazilika duhet zbuluar tërësisht me të gjithë vlerat e saj, ndërsa rrapi sipas tij nuk ka një jetëgjatësi të sigurt.
“Në rrënjët e rrapit qëndron një ndërtesë e mrekullueshme me disa mozaikë, që mund të them pa frikë ndër më të bukurat që gjenden ne literaturat botërore, për cilësinë dhe nivelin e lartë”- shprehet Marku.
Sipas mendimit të tijë një bazilikë e dimensioneve të tilla, e nivelit të tillë të lartë artistik meriton të zbulohet me tej.
“Kjo bazilikë na tregon për nivelin e lartë të jetesës për kohën dhe jam i bindur që përreth saj duhet të ketë ndërtime të tjera që ia vlen të zbulohen”- thotë ai.
Ndërsa përsa i përket rrapit ai thekson se jetëgjatësia e tij s’është fort e sigurt derisa rrënjët kanë filluar ti kalben e fundin e tij nuk e sheh shumë larg. Edja Feçanji