Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka reaguar zyrtarisht lidhur me lajmet e publikuara mbi sekuestrimin e telefonit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.
Në një kthim përgjigje dhënë në kuadër të programit të transparencës, SPAK sqaron se një veprim i tillë nuk ka ndodhur. Sipas institucionit, Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ka sekuestruar telefonin e kreut të Policisë së Shtetit.
“Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nuk e ka sekuestruar telefonin e Drejtorit të Policisë së Shtetit”, thuhet në përgjigjen zyrtare të SPAK.
Sqarimi vjen pas lajmeve që qarkulluan në dhjetor të vitit të kaluar, të cilat lidhnin emrin e drejtorit të Policisë me hetimet që Prokuroria e Posaçme po zhvillon ndaj AKSHI-t.













