Për mësuesit e arsimit parauniversitar që synojnë përfitimin e titujve “Mësues i Kualifikuar”, “Mësues Specialist” dhe “Mësues Mjeshtër”, nis sot testimi i informatizuar.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaroi informoi se testimi i informatizuar i mësuesve, do të zhvillohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, sipas një kalendari të përcaktuar për kategorinë “Mësues i Kualifikuar”.
Kumbaro tha se “procesi i kualifikimit është duke u zhvilluar për të gjithë mësuesit që synojnë titujt mësues i kualifikuar, mësues specialist dhe mësues mjeshtër“.
“Ky vlerësim nuk është i rëndësishëm vetëm për avancimin në karrierën profesionale të mësuesve, por edhe një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e mësimdhënies dhe në arsimin parauniversitar”, nënvizoi Kumbaro.
Ky proces ka nisur prej muajit shkurt dhe do të zgjasë deri në maj. Kumbaro u shpreh se kjo qasje përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e cilësisë së mësimdhënies dhe në mbështetjen e avancimit në karrierën profesionale të mësuesve, duke synuar rritjen e standardeve në arsimin parauniversitar.
Në mbështetje të këtij cikli, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar ka publikuar më herët programet orientuese për marrjen e shkallëve të kualifikimit, të cilat janë të aksesueshme për të gjithë mësuesit në faqen zyrtare të institucionit.
Mësuesit inkurajohen të përfshihen në këtë proces, duke e konsideruar atë si një mundësi për përmirësim të vazhdueshëm dhe për rritjen e cilësisë së mësimdhënies në sistemin arsimor parauniversitar në vend.














