Ekstradohet nga Dubai Durim Bami

Tiranë, 26 shkurt 2026 – Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted” për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia e Shtetit njofton se gjatë ditës së sotme pritet të finalizohen procedurat e ekstradimit nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, drejt Shqipërisë, të shtetasit D. B., 47 vjeç, banues në Nikël.

Sipas autoriteteve, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 15 maj 2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Ekstradimi vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Pas mbërritjes në Shqipëri, pritet një njoftim i detajuar për median lidhur me vijimin e procedurave ligjore.

Operacioni për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar vijon.