Nga 1281 të burgosur për çështje droge në Shqipëri ku përfshihen trafikantë, kultivues dhe shpërndarës, 124 prej tyre trajtohen me metadon dhe konsiderohen në stadin e përdoruesit të narkotikëve me varësi.
Të dhënat zyrtare tregojnë nuk ekziston një llogaritje e përafërt se sa është numri i përdoruesve të paidentifikuar, të cilët nga hetimet e vazhdueshme po kuptohet se punësojnë oficerë policie dhe staf të burgjeve për të futur në qeli dozat e lëndëve narkotike.
Dosja më e fundit e hetuar nga prokuroria e Elbasanit dhe me të dyshuar Ndriçim Kroj, Gerald Stamolla dhe Esmeralda Komici hedh dyshime për organizim të mirëfilltë të shpërndarjes së drogës në burg.
Bisedat e përgjuara tregojnë se për futjen e hashashit dhe të kokainës në qeli paguhet 200 mijë lekë . Siç tregojnë dosjet, i implikuari i fsheh dozat në pjesët intime.
Megjithatë Vjollca Pustina që ka përfaqësuar të dyshuar që kanë shpërndarë drogë në burg, këmbëngul se kryesorët që fusin dozat tek të burgosurit janë familjarët e tyre.
Mënyrat e tjera të tentuara por që zbulohen në dedektorë, janë të njëjtat me futjen e telefonëve si duke përdorur funde të dyfishta enësh ose ushqimet.













