Viti i Ri nisi me edhe një variant tjetër të listës së gjatë të rreziqeve të fshehura për shëndetin në jetën tonë të përditshme. Këtë herë, siç raportoi The Telegraph në janar, studiues në Sorbonë, në Paris, pohuan se kishin zbuluar se konservuesit e shtuar në ushqime për t’u zgjatur afatin e përdorimit (nitritet në proshutë, sorbatet në produktet e pjekura, acetatet në ushqimet e gatshme) rrisin rrezikun e përgjithshëm të kancerit, veçanërisht atij të gjirit dhe prostatës.
Nuk është aspak e qartë se si këto kimikate, të pranishme në sasi shumë të vogla, mund të çojnë në mutacionet gjenetike që e kthejnë një qelizë normale në malinje. Megjithatë, përmasat e studimit, mbi 100 mijë të rritur, dhe botimi i tij në një revistë serioze, mund të sugjerojnë se ka diçka të vërtetë… po të mos ishte fakti se ndër vite shumë ushqime dhe lëndë ushqyese janë fajësuar në të njëjtën mënyrë. Kjo ilustrohet qartë në artikullin akademik A është gjithçka që hamë e lidhur me kancerin?
Autori, profesori John Ioannidis, filloi duke zgjedhur rastësisht një duzinë recetash nga The Boston Cookbook, përfshirë kotëletë viçi, byrek me mish, kroketa qengji, tortë limoni, plënc të zier, djathë i shkrirë e të tjera. Këto receta nxorën një listë me 50 përbërës të ndryshëm, gjalpë, domate, kripë, miell, karrota, verë etj., për shumicën e të cilëve ka studime që shqyrtojnë lidhjen me kancerin.
Për rreth një të katërtën e përbërësve nuk është gjetur asnjë efekt. Por për të gjithë të tjerët, studimet tregojnë ose rritje të rrezikut të kancerit, ose mbrojtje prej tij. Rezultatet, megjithatë, janë jashtëzakonisht të paqëndrueshme. Për të njëjtin përbërës, disa studime thonë një gjë, të tjera të kundërtën. Kjo është qartazi absurde dhe të çon në përfundimin se këto gjetje janë të pavlefshme.
Pavarësisht pasurisë së madhe të gjuhës angleze, shumë përvoja të zakonshme mbeten pa emër. Kjo mungesë terminologjie është veçanërisht e dukshme kur njeriu sëmuret nga gripi. Ka fjalë për dhimbjen e kokës, dhimbjet e muskujve dhe temperaturën, por asgjë që të përshkruajë plotësisht trishtimin e thellë që sjell kombinimi i të gjitha këtyre.
Mjekët, të cilët priren të jenë më introspektivë se të tjerët për sëmundjet e tyre, shpesh vërejnë se përvoja e tyre personale nuk përputhet me përshkrimet standarde në librat mjekësorë. Prandaj nuk është çudi që njerëzit e kanë të vështirë të shpjegojnë si ndihen.
Këtë boshllëk gjuhësor, sugjeron mjeku i familjes Douglas Macrae, ndonjëherë e mbushin shprehjet idiomatike të dialekteve lokale. Në Lanarkshire, ku ai punon, përdoret shpesh fjala “hingy”, për një fëmijë që nuk duket qartë i sëmurë, por që po fillon të bëhet i tillë, me skuqje të lëkurës dhe nervozizëm. Kur një nënë i thotë “fëmija është hingy”, ai e di se duhet të tregojë kujdes.
Këto dialekte lokale përmbajnë edhe fjalë që përshkruajnë tingullin e një shqetësimi, si “boke”, ose forma më e ashpër “boachch” për të vjellat. “Dry boke” është përpjekje pa rezultat, ndërsa “wet boke” është e vetëkuptueshme. Shembuj të tjerë të tillë do të ishin të mirëpritur.
Vlerat e një gote në mbrëmje
Së fundi, një shënim mbi provat bindëse për përfitimet e një pijeje të rregullt në mbrëmje në mbrojtjen kundër diabetit, siç u përmend së fundmi në këtë rubrikë. Ndër vetitë e dobishme të alkoolit përfshihen roli i tij si antiseptik; shërimi i kërpudhave të këmbëve; lehtësimi i dhimbjeve muskulore; zgjatja e jetës dhe, siç raportoi një grua në fillim të të tridhjetave, ndihma për të mbetur shtatzënë.
Për disa vite ajo ishte përpjekur pa sukses të mbetej shtatzënë, duke ndjekur këshillat zyrtare se “opsioni më i sigurt” ishte të mos pinte alkool, që të mos dëmtonte fetusin.
Pastaj, një mbrëmje, ajo u dorëzua dhe piu. Kur dy javë më vonë nuk i erdhi cikli, e kuptoi se shtatzënia e shumëpritur duhet të kishte ndodhur. A mund të kishin lidhje këto dy ngjarje? Duke reflektuar, ajo arriti në përfundimin se arsyeja e vështirësisë për të mbetur shtatzënë kishte qenë ndoshta fakti që çdo natë shkonte në shtrat plotësisht esëll.














