Qeveria miraton Amnistinë Penale: qindra të liruar nga burgu, mijëra procedime pushohen

Qeveria ka miratuar këtë të enjte projektligjin për Amnistinë Penale, një nismë që synon uljen e mbipopullimit në burgje dhe lehtësimin e sistemit të drejtësisë për veprat penale me rrezikshmëri të ulët.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, bëri të ditur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se 447 të dënuar do të lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa 853 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Përfituesit përfshijnë edhe gra, të mitur dhe shtetas të huaj.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Drejtoria e Burgjeve, Shërbimi i Provës dhe Prokuroria e Përgjithshme, amnistia përfshin gjithashtu 5077 persona që po vuajnë dënime alternative, ndërkohë që për rreth 14 mijë procedime penale për vepra të lehta do të pushohet ndjekja penale.

Ministri Lamallari e cilësoi amnistinë si një akt human dhe një mundësi të dytë për rehabilitim dhe riintegrim shoqëror, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për tolerim të krimit, por për një qasje më të balancuar të drejtësisë penale. Sipas tij, masa ndihmon edhe në uljen e presionit mbi burgjet dhe përputhet me standardet dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend për shqyrtim parlamentar, ndërsa qeveria pret miratim pa vonesa, në mënyrë që efektet e tij të ndihen sa më shpejt nga mijëra familje shqiptare.

Nga kjo amnisti përjashtohen çështjet dhe personat nën hetim apo gjykim nga SPAK dhe GJKKO.