Padia e lapajt, Agron Shehaj shpallet fajtor për fyerje, dënohet me gjobë 300 mijë lekë

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor deputetin Agron Shehaj për veprën penale të “Fyerjes”, pas padisë së ngritur ndaj tij nga kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.

Vendimi u dha nga gjyqtari Erjon Çela, i cili vendosi dënimin e Shehajt me 3 milionë lekë gjobë për këtë vepër penale.

Ndërkohë, Gjykata e shpalli deputetin të pafajshëm për akuzën e “Shpifjes”, duke rrëzuar këtë pjesë të padisë.

Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të “Çopjave”.

Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.

Shehaj vazhdoi sërish me akuzat, duke i shoqëruar edhe me dokumente, ku thoshte se Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone miliona euroshe që kompania e Çopjave kishte blerë në bregdet.

Sipas Shehajt, vendimi për pronën është dhënë nga vetë vjehrri i Adriatik Lapajt, Alltun Çela, kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.