DURRËS – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht lidhur me arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit.
Në një njoftim për mediat, Drejtoria e Burgjeve bën me dije se Ndoci ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore në spitalin e Durrësit në momentin kur ndodhi arratisja. Sipas institucionit, procedurat mjekësore po zhvilloheshin në repartin e infektivit, i cili disponon edhe sektor sigurie për personat e dënuar.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të efektivëve të Policisë së Burgjeve, i dënuari ka arritur të largohet nga ambientet spitalore.
Autoritetet bëjnë me dije se strukturat përkatëse janë vënë në lëvizje dhe po vijojnë kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kush është Altin Ndoci dhe pse është arrestuar?
Altin Ndoci është arrestuar nga SPAK dhe akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas akuzës, Ndoci ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë vëllai i Endrit Alibej, i njohur si “Tarzai”, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri, si dhe një shtetas turk.
Në një dosje tjetër, Ndoci akuzohet nga SPAK, bazuar edhe në dëshmitë e Nuredin Dumanit, si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, vepra të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjithashtu, ndaj tij rëndojnë akuza për veprën penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, municioneve dhe lëndëve shpërthyese”, të kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ku ai dyshohet të ketë pasur rolin e pjesëmarrësit.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë së Burgjeve:
“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”













