Vlorë, 28 dhjetor 2025 – Qyteti i Vlorës vijon të mbetet pa furnizim me ujë të pijshëm prej tre ditësh, si pasojë e një defekti të rëndë teknik në linjën kryesore të transmetimit. Situata ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarët, të cilët mbrëmjen e sotme kanë ndërhyrë me forcë në një aktivitet festiv të organizuar nga bashkia.
Të revoltuar nga mungesa e zgjidhjes, dhjetëra qytetarë janë futur në sallën e Teatrit “Petro Marko”, ku po mbahej mbrëmja gala e festave të fundvitit. Me thirrje si “O hajdutë, duam ujë” dhe pankarta proteste, ata kanë zaptuar skenën e përgatitur për koncert, duke e bërë të pamundur vijimin e shfaqjes.
Pavarësisht pranisë së forcave të policisë, protestuesit nuk janë ndalur dhe kanë vijuar aksionin e tyre brenda sallës, duke çuar në ndërprerjen përfundimtare të aktivitetit. Artistët janë larguar nga skena, ndërsa eventi është anuluar.
Ndërkohë, gjatë ditës, drejtori i Ujësjellësit të Vlorës, Ermal Murati, ka reaguar lidhur me situatën, duke sqaruar se bëhet fjalë për një dëmtim serioz në tubacionin kryesor me diametër 1000 mm. Sipas tij, ky tub është i një tipi të veçantë, i përdorur vetëm në qytetin e Vlorës, çka e ka bërë ndërhyrjen teknike më të vështirë dhe ka zgjatur kohën e riparimit.
Murati theksoi se po punohet intensivisht si për riparimin përfundimtar të defektit, ashtu edhe për gjetjen e një rruge alternative furnizimi me ujë, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të shërbimit për qytetarët.













