Nga hetimi i inceneratorit të Elbasanit deri te zv. kryeministri Arben Ahmetaj, profili kush është Klodian Braho, kreu i ri i SPAK!

Klodian Braho është zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas përfundimit të mbledhjes ku u zhvillua intervistimi i kandidatëve, KLP votoi me 7 vota pro Klodian Brahon si drejtues të SPAK, Adnan Xholi mori 3 vota dhe Elvin Gokaj 1.

Klodian Braho do të ketë një mandat 3-vjeçar si drejtues i SPAK, duke pasuar në këtë detyrë Altin Dumanin, të cilit i mbaron mandati më 18 dhjetor. Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025.

Kush është Klodian Braho?

Klodian Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës. Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendës drejtues i këtij institucioni.

Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re. Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Klodian Braho është pjesë e SPAK që prej krijimit të tij dhe aktualisht drejton Seksionin Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe çështjeve me ndjeshmëri të madhe publike.

Braho është prokurori që udhëhoqi hetimin e inceneratorit të Elbasanit, një dosje voluminoze dhe komplekse, nga e cila lëshoi urdhër-arreste për persona të njohur si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, ndërsa hetimi për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj u trajtua në një procedim të veçuar.

Ai ka çuar përpara edhe dosjen “5D”, duke dërguar për gjykim disa ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër hetim i rëndësishëm i tij është ai i “Toyota Auris”, ku u zbulua një skemë e gjerë kriminale që përfshinte edhe individë të sistemit të drejtësisë. Dosja është e fragmentuar në disa degë, të cilat vijojnë të hetohen ende.