BIRN: Organizatat e shoqërisë civile përshëndesin miratimin e ligjit për “Barazi Gjinore”

Dhjetra organizata të shoqërisë civile mbështetën të premten miratimin e ligjit për “Barazinë Gjinore”, si një moment historik për avancimin e të drejtave të barabarta, eliminimin e diskriminimit dhe forcimin e mekanizmave institucionalë për barazinë gjinore në Shqipëri.

Gjatë një konference për mediat, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, (AWEN) në bashkepunim me organizatat partnere të shoqërisë civile prezantuan dispozitat kryesore të ligjit, ndikimin që pritet të ketë në sektorët publikë dhe privatë, si dhe hapat konkretë për zbatimin e tij efektiv.

Mirela Arqimandriti nga GADC tha se përfaqëson një reformë strukturore ligjore, sociale e kulturore për të gjithë shoqërinë që e përafron Shqipërinë me vlerat e standardet e Bashkimit Europian.

“Ky ligj përfshin një sërë dispozitash që garantojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, duke përfshirë gratë dhe vajzat, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet rome e egjiptiane dhe personat LGBTI+,” u shpreh Arqimandriti.

Koalicioni vuri theksin se risitë e ligjit lidheshin me njohjen e punës së papaguar dhe eleminimin e hendekut gjinor në paga.

Ines Leksaj nga AWEN vuri në dukje se ligji detyron institucionet publike që të zbatojnë buxhetimin e përgjithshëm gjinor, duke garantuar që burimet publike të shkojnë në mënyrë të drejtë dhe transparente.

Leksaj vuri theksin dhe tek dispozita që detyron institucionet, shkollat, mediat dhe çdo subjekt publik e privat “që të përdorë gjuhë me ndjeshmëri gjinore dhe gjithëpërfshirëse, si mjet për të ndaluar sterotipet, diskriminimin dhe seksizmin në hapësirën publike”.

Ndërsa Romina Sefa, përfaqësues e organizatës për gratë rome, vlerësoi parashikimet ligjore për mbrojtje nga “diskriminimi i shumëfishtë”, një fenomen që sipas saj prek gratë rome.

Përfaqësuese të organizatave të tjera për të drejtat e njeriut gjithashtu vlerësuan se dispozitat ligjore ofron mbrojtje për të gjitha kategoritë e popullsisë dhe grupet e margjinalizuara.

Ligji për “Barazinë Gjinore” u miratua në seancë plenare në mesnatën e së enjtes vetëm me 77 vota të deputetëve të Partisë Socialiste, ndërsa u shoqërua me debate dhe kundërshtim nga opozita.

Para godinës së parlamentit ku mbahen seancat plenare, dhjetra protestues ishin thirrur të enjten nga Akil Pano, një pastor, i cili e përshkroi ligjin si një e keqe e madhe që po i kanosej familjes dhe fëmijëve.

Protestës iu bashkua për disa minuta dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha me një pjesë të deputetëve të kësaj partie. Duke kundërshtuar projektligjin, Berisha akuzoi ambasadorin e Bashkimit Europian në vend, Silvio Gonzato, se po kërkonte t’i impononte vendit “agjendën e tij personale”. Deklarata e Berishës nuk u prit aspak mirë në Bruksel duke sjellë reagimin e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë personale e Ambasadorit të BE në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm,” shkruajti Kos në platformën X.

Më vonë Berisha u përpoq të shfajësohej për deklaratën e tij, por sërish komentoi mbi jetën personale të ambasadorit Gonzato.

Deputetët e opozitës e kundërshtuan projektligjin kryesisht për terminologjinë e përdorur dhe votuan kundër tij.

Debatet publike dhe politike gjatë shqyrtimit të këtij ligji u përqëndruan kryesisht tek përkufizimi i gjinisë në dispozitat ligjore ku flitej për mbrojtjen nga diskriminimi, që sipas tyre, binin ndesh me familjen dhe traditën shqiptare si dhe i hapnin rrugë njohjes ligjore të komunitetit LGBTI+./ Reporter.al