Gjendet i vdekur në qeli bosi turk i kriptomonedhave, që u arrestua në Shqipëri

Faruk Fatih Ozer, drejtori ekzekutiv i bursës së kriptomonedhave të falimentuar Thodex, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut, në perëndim të Turqisë. Lajmi u konfirmua nga transmetuesi shtetëror TRT, sipas të cilit po zhvillohet një hetim për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Sipas burimeve të para, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që Ozer të ketë kryer vetëvrasje, ndërsa pritet që autopsia të sqarojë rrethanat e plota të ngjarjes, shkruan Bloomberg.

Ozer ishte dënuar në vitin 2023 me 11,196 vjet burg, pas një prej skandaleve më të mëdha financiare në historinë e Turqisë. Ai u shpall fajtor për mashtrim të gjerë dhe organizim kriminal, pasi mijëra investitorë humbën paratë e tyre pas kolapsit të bursës së kriptomonedhave Thodex.

I lindur në vitin 1994, Ozer themeloi platformën Thodex në vitin 2017, por në prill 2021 ajo u mbyll papritur, duke shkaktuar panik te investitorët.

Pas mbylljes së bursës, ai u arratis në Shqipëri, ku u arrestua disa muaj më pas në Durrës, pas një kërkimi ndërkombëtar. Në vitin 2022, gjykata shqiptare vendosi ekstradimin e tij në Turqi, ku më pas u dënua me burgim ekstremisht të gjatë, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij.