E pazakontë në Itali – Shqiptarja arrestohet për bigami, kishte dy burra njëkohësisht

Itali – Një grua me origjinë shqiptare është arrestuar nga autoritetet italiane, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të bigamisë. Gjatë aplikimit për leje qëndrimi për arsye familjare, ajo deklaroi se ishte martuar rishtazi me një burrë në Montecatini Terme. Megjithatë, verifikimet nga policia italiane zbuluan se ajo ishte ende e martuar ligjërisht me një shtetas tjetër italian që nga viti 2004.

Pas këtij zbulimi, leja e qëndrimit u pezullua dhe ndaj gruas u mor masa e arrestit.

Bigamia është e dënueshme sipas nenit 556 të Kodit Penal italian, i cili parashikon burgim nga një deri në pesë vjet për këdo që lidhet në një martesë të re ndërkohë që është ende i/e martuar ligjërisht. Dënimi rritet nëse bashkëshorti i ri është mashtruar në lidhje me statusin martesor të personit.

Rasti ka ngjallur interes të gjerë në mediat italiane, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.