ITALI- Një 29-vjeçare, e identifikuar si Pamela Gelmini, u masakrua me thikë në shtëpinë e saj në Milano nga një 52-vjeçar. Gianluca Sonci, pas krimit makabër, tentoi vetëvrasjen dhe është shtruar në Spitalin Niguarda në gjendje të rëndë. Media vendase raportojnë se incidenti ndodhi në Via Iglesias, në lagjen Gorla. Sakaq fqinjët, të alarmuar nga britmat që vinin nga apartamenti, telefonuan policinë.
Efektivët dhe shërbimet e urgjencës mjekësore shkuan në vendngjarje, por 29-vjeçarja kishte ndërruar jetë. Sipas hetimeve paraprake, viktima dhe 52-vjeçari, të dy italianë, kishin një lidhje jashtëmartesore. Megjithatë, 29-vjeçarja kishte vendosur që të ndahej. Dëshmitarët raportuan se e dëgjuan viktimën duke kërkuar ndihmë nga tarraca. Por, autori e goditi disa herë me thikë dhe më pas e drejtoi nga vetja, duke u plagosur në fyt.
