GREQI- Drejtësia greke ka dhënë dritën jeshile për zhvarrosjen e Denis Ruçit, 22-vjeçarit shqiptar që humbi jetën në aksidentin hekurudhor të Tempi-t tre vite më parë. Vendimi i Gjykatës së Larisës përfshin gjithashtu kryerjen e analizave të ADN-së dhe atyre toksikologjike, pas kërkesës së familjes së të ndjerit.
Verdikti erdhi pas një greve urie që babai i tij, Pano Ruçi, mbajti për 23 ditë rresht përpara Parlamentit grek, duke kërkuar lejen për zhvarrosje dhe rihetim të çështjes. Pas përmbushjes së kërkesave, ai e ndërpreu grevën javën e kaluar. Në një intervistë për emisionin “To Proino”, Ruçi rrëfeu përvojën e tij të dhimbshme dhe mbështetjen që ka marrë nga qytetarë të shumtë, përfshirë edhe figura të njohura të artit dhe kulturës greke.
“Kompozitori Nikos Karvelas vinte në Syntagma pothuajse çdo natë dhe më mbështeste”, tha ai.
Ai përmendi në mënyrë të veçantë edhe Nikos Karvelasin, i cili, siç tha ai, ishte pranë tij pothuajse çdo natë, larg vëmendjes. Kompozitori, pa kamera apo deklarata, qëndroi i qetë pranë tij, duke i ofruar forcë dhe prani njerëzore në një nga momentet më të vështira të jetës së tij, informon “Prothothema”.
“Kanë kaluar edhe disa artistë nga Syntagma. Është e vërtetë që Nikos Karvelas vinte pothuajse çdo natë. Më tha se donte të ishte me mua që të mos isha vetëm. Bisedonim me orë të tëra. Ishte shumë bukur. E bënte me zemër pa publicitet, pa kamera. Nuk donte, prandaj vinte vonë natën”, zbuloi ai.
Ruçi tregoi edhe se ku e gjente forcën për të vijuar grevën: Forca ime gjatë gjithë kësaj kohe vinte nga mendimi për fëmijën tim dhe nga mbështetja e njerëzve, të cilët i dërgonin mesazhe mbështetjeje çdo ditë./
