Elbasan, 13 Tetor 2025 – Në zbatim të vendimit të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka hyrë në fuqi ndalimi i përdorimit të monopatinave elektrike në rrugët publike në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Në kuadër të këtij vendimi, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka filluar menjëherë zbatimin e planit të masave në terren, duke angazhuar strukturat e Sektorit të Qarkullimit Rrugor.
Të pranishëm në rrugët e qytetit për monitorimin dhe zbatimin e vendimit janë edhe Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor, Valentin Florini, dhe Shefi i Seksionit, Besmir Likaj. Ata po mbikëqyrin nga afër veprimtarinë e patrullave në pikat kryesore të qytetit, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e përdoruesve të monopatinave.
Ky vendim vjen si përgjigje ndaj rritjes së shqetësimeve për sigurinë rrugore, pas numrit në rritje të aksidenteve ku janë përfshirë monopatina, kryesisht të drejtuara nga të rinj dhe adoleshentë.
Përgjatë ditëve në vijim, në Elbasan dhe në qytete të tjera të vendit, pritet intensifikimi i kontrolleve, si dhe organizimi i fushatave informuese për qytetarët, me fokus në ndërgjegjësimin për rrezikun që paraqet përdorimi i pakontrolluar i këtyre mjeteve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë vendimin e marrë dhe të shmangin përdorimin e monopatinave në rrugët publike, për të garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të trafikut.
