Një rast i pazakontë raportohet nga Karbunara e Vogël në Lushnje, ku një tufë prej 80 krerësh dele e dhi është masakruar gjatë natës nga ujqërit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, 21 shtator, kur ujku hyri në vathë duke sulmuar tufën.
Sipas blegtorit Namik Sinani, 40 krerë janë ngrënë e mbytur nga kafsha e egër, ndërsa pjesa tjetër është lënë e plagosur, një pjesë në rrugë dhe një pjesë brenda vathës.
Blegtori, i tronditur nga ngjarja, kërkon ndihmë nga shteti për kompensim të tufës, duke theksuar se vetëm një pjesë e bagëtive ishte e matrikulluar, ndërsa të tjerat ishin shtesa të fundit.
“S’kam asnjë të ardhur, vetëm me ato ushqeheshim. Vetëm kjo kërrabë (shkop) më ka ngelur dhe qeni që ta vras fare që nuk e ruajti fare tufën”, shprehet fermeri.
Banorët e zonës shprehen të frikësuar pasi ky nuk është rasti i parë.
Vetëm dy javët e fundit, ujqërit kanë sulmuar edhe kafshë të tjera, duke hyrë deri në qendrat e banuara.
Pylli i Zgjanës, pranë fshatit, është kthyer në strehë të ujqërve, numri i të cilëve, sipas banorëve, është shtuar ndjeshëm vitet e fundit.
Për ngjarjen është njoftuar policia e Lushnjes dhe shërbimi veterinar.
Pritet që autoritetet të kryejnë groposjen e bagëtive të ngordhura dhe dezinfektimin e zonës për të shmangur përhapjen e ndonjë infeksioni.
