Tronditëse në Shkodër / Dy persona kërcënojnë efektivët e “Shqiponjave”: Do t’ju hapim barkun me plumba

Forcat “Shqiponja” të policisë së Shkodrës janë kërcënuar nga dy persona.

Teksa ndodheshin në një postbllok në hyrje të qytetit të Shkodrës, dy shtetas janë ndalur pranë forcave “Shqiponja” duke i kërcënuar me fjalët “do t’ju hapim barkun me plumba” dhe më pas janë larguar.

Menjëherë efektivët janë vënë në ndjekie të tyre duke arritur që t’i ndalojnë. Dy personat janë shoqëruar në policinë vendore te Shkodrës.

Janë të paqarta arsyet e këtij kërcënimi për efektivët e policisë. Uniformat blu janë duke marrë në pyetje dy të shoqëruarit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.

Ky kërcënim vjen dy ditë pas atentatit që tronditi qytetin me dy të vrarë dhe dy të plagosur, ku si rrallë herë u arrestua menjëherë pas ngjarjes autori.