Terror në Shkodër/ Ekzekutohet me armë zjarri një person në një lokal, tre të plagosur mes tyre një kamariere

Lajmi hap pas hapi:

SHKODËR- Armando Pali ka mbetur i vdekur ditën e sotme nga atentati që tronditi pak më herët Shkodrën. Dyshohet se shënjestra e atentatit nuk ka qenë viktima, por një nga të plagosurit, Erogen Vaso. Ky i fundit është vëllai i Denis Brajoviç (Bajri).

Denis Bajri u ekstradua nga Dubai në korrik të këtij viti. 37-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe rezulton si një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Bajri akuzohet për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Në përfundim të procedurave të ekstradimit 37-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme së Burgjeve. Denis Bajri (Brajoviç) dyshohet se është autor i vrasjes së Gjon Ndojt (Boriçi), ngjarje e cila ka ndodhur më 9 Gusht të viti 2020 në Shkodër. Dyshimet janë se ekzekutimin e Ndojit, Bajri e bëri me porosi të Ervis Martinajt.

FOTO/ Vrasja në Shkodër, dalin pamjet nga vendi i ngjarjes, raportohet edhe për tre të plagosur, mes tyre një kamariere

SHKODËR- Shkodra është tronditur ditën e sotme nga një tjetër vrasje. Një person është qëlluar për vdekje me breshëri plumbash në një lokal pranë bashkisë Shkodër, ndërsa janë publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes.

Viktima është identifikuar si Armando Pali, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e sakta të krimit të rëndë. Raportohet se nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe tre persona mes tyre një kamariere. Një nga të plagosurit është Erogen Vaso. Pritet një njoftim zyrtar nga policia për informacione të mëtejshme mbi ngjarjen dhe autorët.

EMRI/ Vrasja e dytë brenda pak ditësh në Shkodër, identifikohet viktima

SHKODËR- Një vrasje me armë zjarri ka tronditur sërish Shkodrën, pas ekzkekutimit të Kristjan Kolës.

Një person është qëlluar me breshëri plumbash në një lokal në qendër të qytetit. Viktima është identifikuar si Armando Pali.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ndërsa pritet të zbardhen detaje të tjera.