U lëndua gjatë tentativës për shuarjen e flakëve në Delvinë, niset drejt Traumës 42-vjeçari

Një tjetër banor i lënduar nga zjarri në fshatin Kopaçez, bashkia Delvinë, është transportuar drejt spitalit të traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

42-vjeçari Apostol Zhupa, banor i Kopaçezës, ishte pjesë e grupit të banorëve që po përpiqeshin të shuanin flakët që kishin përfshirë zonën. Ai ka pësuar djegie të shumta në pjesën e gjoksit dhe shpatullave.

Fillimisht, Zhupa mori ndihmën e parë në spitalin rajonal të Sarandës, ndërsa më pas u dërgua me ambulancë drejt Tiranës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Autoritetet vendore kanë konfirmuar se ky është personi i dytë që ka pësuar djegie serioze nga zjarret që kanë përfshirë zonën e Delvinës në ditët e fundit.