Komisari pësoi djegie gjatë tentativës për të nxjerrë banorët nga zjarri, Proda e viziton në spital: Shembull i përkushtimit dhe sakrificës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, viziton në repartin e djegieve në QSUT Shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, viziton në repartin e djegieve në QSUT Shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie të shumta gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar që nuk dilnin dot nga zona e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.

Gjatë vizitës, Proda është interesuar pranë stafit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Shefit të Komisariatit, duke i uruar atij shërim të shpejtë dhe e ka përgëzuar për aktin e tij të guximshëm dhe human.

Po ashtu, ai ka vlerësuar të gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që sot kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar nga flakët shumë banorë pjesa më e madhe të moshuar, në fshatrat e Delvinës, si pasojë e një zjarri të madh të favorizuar nga era, që ka përfshirë shumë zona të banuara.

“Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve. Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut. Edhe disa punonjës të tjerë kanë pësuar. Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës”, deklaroi Proda.

Në zonën e përfshirë nga zjarri, në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, vijon ndërhyrja intensive e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë, për neutralizimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.