Policia jep detaje për aksidentin në aksin Librazhd–Qafë Thanë. Një 15-vjeçar dërgohet te Trauma në Tiranë

Një aksident rrugor u regjistrua paraditen e sotme në aksin nacional Librazhd–Qafë Thanë, ku dy automjete u përplasën, duke shkaktuar katër të lënduar.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti me drejtues shtetasin R. D. është përplasur me një tjetër automjet, që drejtohej nga shtetasi Ç. H.. Si pasojë e përplasjes janë lënduar Ç. H. dhe dy pasagjerë të tjerë që ndodheshin në automjetin e tij. Të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, një 15-vjeçar, gjithashtu pasagjer në të njëjtin automjet, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.