Situata e Zjarreve në Vend – 4 Vatra Aktive, Vijojnë Ndërhyrjet në Elbasan, Finiq, Vaqarr dhe Has

Tiranë, 4 Korrik 2025 – Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra zjarri në disa zona të vendit, ku aktualisht 4 prej tyre mbeten aktive. Forcat operacionale janë në terren dhe po vijojnë ndërhyrjet për neutralizimin e plotë të flakëve.

Vatrat aktive janë të përqendruara në:

Bashkia Elbasan – Në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, ku po punohet për shuarjen përfundimtare të zjarrit përmes hedhjes së inerteve dhe kapsulimit të mbetjeve. Paralelisht, një grup ekspertësh ka kryer matjet për ndotjen e ajrit në zonë.

Bashkia Finiq – Midis fshatrave Grazhdan (njësia Livadhja) dhe Malçan (njësia Dhivër), ku situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, pavarësisht përmirësimit të kushteve në terren.

Bashkia Tiranë – Në fshatin Bulticë, njësia administrative Vaqarr, ku zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Forcat zjarrfikëse, me mbështetjen nga ajri të helikopterit Cougar, vijojnë punën për kontrollin e flakëve.

Bashkia Has – Në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, ku terreni i vështirë dhe era po e vështirësojnë ndërhyrjen në një sipërfaqe me pyll pishe. Forcat në terren janë të angazhuara për izolimin e vatrës.

Sipas raportimeve zyrtare, si pasojë e këtyre zjarreve janë djegur rreth 6 hektarë sipërfaqe me bimësi, përfshirë pemë, shkurre dhe barishte.

Në përballimin e situatës janë angazhuar:

232 forca operacionale

36 automjete zjarrfikëse

Forcat e Armatosura, me 35 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, 1 traktor me zinxhirë dhe 1 helikopter Cougar

Grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit

Rreziku për përhapjen e zjarreve mbetet i lartë. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet niveli “I LARTË” i rrezikut pothuajse në të gjitha qarqet, përveç Korçës dhe Vlorës ku vlerësohet si “I MODERUAR”, me rritje të mundshme në zona të veçanta.

Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje qytetarëve për kujdes dhe përgjegjësi maksimale, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr:

“Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura dhe mos digjni mbeturina. Edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve. Në rast zjarri, njoftoni menjëherë shërbimet zjarrfikëse.”

Vetëm përmes bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit mund të parandalohet përhapja e zjarreve dhe të mbrohet mjedisi.