TIRANË- Babai i 12-vjeçarit shqiptar që u mbyt rreth 10 ditë më parë në lumin Araktos në Greqi, ka shprehur dhimbjen e tij për humbjen e papritur e djalit të tij. Bledar Fetollari për Neës 24 u shpreh se në vendin fqinj kishte emigruar për të punuar dhe se ishte pa letra pa dokumenta. Ai theksoi se punon në bujqësie dhe ditën tragjike u largua nga banesa për të parë një punë dhe se djalin e la në shtëpi.
“Unë tani kam dy çupa dhe një djalë i kam të mëdhenj, këtë e kisha të pleqërisë, këtë që e ruanim si sytë e ballit na i mori Zoti”, tha babai.
Fetollari tregoi me detaje ditën e tragjedisë, se si ai u njoftua për ngjarjen dhe vendimin e tij për të dhuruar zemrën e të birit. Ai shtoi se nuk e bëri për asnjë interes këtë akt human por vetëm që zemra e djalit të tij të vijojë të rrahë.
“I thashë doktorit meqë djali nuk bëhet më por zemra i punon, nëse zemra e fëmijës tim shkon në çfarëdolloj trupi, qoftë fëmijë, grek, shqiptar, italian, gjerman, çfarëdolloj, mund t’ja jepni, vetëm zemra e djalit tim të jetojë.
Më falenderuan, edhe familja tjetër e dhuroi. Nuk e bëra për asnjë interes por zemra e djalit të ndihej e gjallë”, tha ai, teksa zbuloi se aktualisht po banon në shtëpinë e vjehrrës së tij në Shqipëri, pasi nuk ka një banesë të tijën. Për këtë arsye apelon për ndihmë sa do pak të vogël nga qytetarët shqiptarë.
“Apeli im në këto momente është kaq:Të gjithë popullit që dëshiron se drejt me thënë, për një qëllim vajta, për një hall, për një shtëpi, për një diçka, po pati mundësi ndonjë ndihmë sadopak e vogël të jetë për mua është gjë e madhe se për atë gjë vajta në emigrim pavarësisht se Zoti më kthehu në krahun tjetër, por prap e falënderoj. Ai na ka dhënë në këtë jetë dhe Ai do të na marrë”, është apeli i babait të 12-vjeçarit që u mbyt në Greqi.
