Situata me zjarret në Shqipëri: 7 vatra të raportuara, 2 ende aktive në Kukës dhe Vlorë

Tiranë, 23 qershor 2025 – Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar mbi gjendjen e fundit të zjarreve në territorin shqiptar, duke theksuar se janë raportuar gjithsej 7 vatra, nga të cilat 5 janë neutralizuar, ndërsa 2 mbeten ende aktive.

Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, vatrat e shuar janë regjistruar në këto zona:

Lagjja “Mulliri i Artë”, bashkia Delvinë

Fshati Alarup, njësia Çërravë, bashkia Pogradec

Rruga e Elbasanit, njësia Nr. 2, bashkia Tiranë

Fshati Rilë, njësia Shënkoll, bashkia Lezhë

Fshati Malaj, njësia Rrëshen, bashkia Mirditë

Ndërkohë, dy vatra mbeten problematike:

1. Qarku Vlorë – Fshati Llaman, bashkia Himarë
Zjarri vijon të jetë aktiv. Në terren po operojnë 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Himarë, 40 ushtarakë të Forcave të Armatosura nga DRM Gjirokastër me 4 mjete transporti, si dhe një helikopter i FA. Në mbështetje janë edhe 30 punonjës të shërbimit pyjor dhe njësive vendore.

2. Qarku Kukës – Fshati Kolsh, njësia Mamëz, bashkia Kukës
Zjarri ka rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane dhe sipas Ministrisë situata paraqitet drejt përmirësimit, me forca në terren që vazhdojnë ndërhyrjen.

Autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo emergjencë të mundshme, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të njoftojnë menjëherë për çdo vatër të re zjarri.