Kalamata, Greqi – 22 qershor 2025
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të diel në zonën e Messinias, në qytetin e Kalamatës, ku një 61-vjeçar ka vrarë prindërit e tij të moshuar brenda banesës së tyre. Viktimat janë babai 96-vjeçar dhe nëna 93-vjeçare.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se krimi është kryer me një mjet prerës, konkretisht një palë gërshërë. Mediat greke raportojnë se autori, djali i çiftit, vuante nga probleme të shëndetit mendor. Nuk dihen ende motivet që çuan në këtë akt të rëndë.
Zhurmat dhe britmat e dëgjuara nga banesa kanë alarmuar fqinjët, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Në momentin që shërbimet e policisë mbërritën në vendngjarje, kanë gjetur trupat e pajetë të të moshuarve të mbuluar në gjak, ndërsa djali ndodhej brenda dhe u arrestua në flagrancë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë nga autoritetet greke.
