Korçë- Prifti Kristaq Viso ka ndërruar jetë në spital, pasi rreth dy javë më parë ra aksidentalisht nga çatia e kishës teksa po hiqte disa tjegulla dhe llamarina. Lajmin e ka konfirmuar, Mitropolia e Shenjtë e Korçës përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i shprehen ngushëllime bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve dhe të afërmve.
NJOFTIMI I PLOTË:
Sot fjeti më Zotin Ikonom Stavrofor Atë Kristaq Viso!
Mitropolia e Shenjtë e Korçës i shpreh ngushëllime të përzemërta bashkëshortes, vajzave dhe të gjithë familjarëve dhe të afërmve! I lutemi Perëndisë, të cilit i shërbeu, që ta ndjejë dhe ta prehë shpirin e tij me shenjtorët në gjirin e Avramit në Mbretërinë e Qiejve!
Qoftë e lumur udha në të cilën shkon ti sot, se të është përgatitur vendi i prehjes lart në qiell, paraisë të mbarë o vëllai ynë i lumur dhe i gjithmonë kujtuar!
Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 maj, kur 63-vjeçari Kristaq Viso, ra aksidentalisht nga çatia e kishës ku shërbente. Kisha do të rikonstruktohej së shpejti, ndaj dhe prifti kishte hipur në çati për të hequr materialet të cilat mund t’i hynin në punë. Në momentin e ngjarjes, në kishë ndodheshin dy priftërinj, njëri jashtë ambjenteve të kishës dhe tjetri mbi çati. Prifti kishte marrë dëmtime të shumta në kokë dhe u nis me urgjencë drejt spitalit të Traumës por nuk mundi t’i mbijetonte dëmtimeve të marra.
