“Kam 25 vite me një karrige të dëmtuar dhe më gris rrobat!” Pedagogu pas aksionit të SPAK në UBT: Gjendja në sistemin universitar nuk ka qenë kurrë më e ligë

TIRANA- Pedagogu Lush Susaj foli sot në lidhje me 24 masat e sigurisë të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme për abuzime me tendera në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Ai tha për Euronews Albania se, ndonëse nuk është në dijeni të detajeve të tenderave të përfshirë në dosjen e SPAK, situata në Universitetin Bujqësor është problematike, pasi sipas tij, shumë prej mjeteve dhe infrastrukturës së nevojshme mungojnë, megjithëse në letra figurojnë si të pranishme.

Pedagogu theksoi se gjithçka ekziston vetëm në dokumente, ndërsa realiteti është krejt ndryshe. Susaj përshëndeti ndërhyrjen e SPAK dhe e cilësoi të nevojshme hetimin e plotë të situatës.

“Unë nuk e di se kush është thirrur, nuk e di kujt i janë dhënë masat, por 20 masa janë shumë. Unë kam dy gjëra për të thënë, pasi jam kryetar i sindikatës së pavarur të punonjësve të universitetit dhe më prek goditja e reputacionit të institucionit. Ata që kanë cenuar këtë universitet nuk kanë asgjë të përbashkët me të. Gjendja në sistemin universitar dhe arsimor nuk ka qenë kurrë më e ligë, më e dobët, dhe kjo vjen nga korrupsioni dhe nepotizmi.

Laboratorët janë bosh, bazat prodhuese janë bosh, s’kemi kondicionerë në zyra. Një karrige kam që prej 25 vitesh, është e dëmtuar dhe më gris rrobat. Një printer nuk kemi, letra nuk kemi. Në universitete ka marrë fund gjithçka. Studentët nuk dalin në praktika. Ku janë lekët? SPAK ka vepruar dhe inkurajoj drejtësinë. Qoftë i nderuar çdo institut që ndërhyn, ama unë lus Zotin që çdokush të gjykohet vetëm në të drejtën e ligjit”, tha pedagogu.