KORÇA- 38-vjeçari Valter Xhelillari ka rënë në prangat e policisë së Korçës, pasi të shtunën rreth orës 22:05, hyri me forcë në ambientet e një banke të nivelit të dytë, ku qëndroi për disa sekonda dhe më pas sapo konstatoi policinë u largua menjëherë, pa marrë asgjë. Pas arrestimit, 38-vjeçari deklaroi se nuk mban mend asgjë nga ajo se çfarë ka ndodhur në bankë.
“Unë kam qënë në gjendje të dehur dhe nuk mbaj mend asgjë”, ka thënë autori.
NJOFTIMI:
Policia e Korçës identifikon, kap dhe vë në pranga shtetasin që hyri me forcë në ambientet e një banke të nivelit të dytë në Korçë. Pas kontrolleve intensive që zgjatën 24 orë, Policia e Korçës bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e 38-vjeçarit.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 21 dhjetor, në lagjen nr.3, Korçë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, ushtruan kontrolle të pandërprera për kapjen e autorit. Pas identifikimit të autorit të dyshuar, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Policisë lokalizuan në lagjen nr.6 në Korçë dhe vunë në pranga shtetasin V. Xh., 38 vjeç, banues në Korçë.
Më datë 21.12.2024, rreth orës 22:05, 38-vjeçari ka hyrë me forcë në ambientet e një banke të nivelit të dytë, ku ka qëndruar për disa sekonda dhe është larguar menjëherë sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, pa marrë asgjë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
