Taksistët e Elbasanit kanë protestuar sot për të kundërshtuar konkurrencën e pandershme që u bëhet nga taksitë elektrike.
Këto të fundit ofrojnë çmim më të ulët duke i çuar drejt falimentimit.
Florenc Muho, kryetar i shoqatës së taksive Elbasan u shpreh se për këtë shqetësim janë njoftuar të gjitha autoritetet vendore, bashkia, tatim-taksa dhe policia, por askush nuk ka ndërhyrë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, së fundmi në qytet është licensuar edhe një subjekt me taksi elektrike, që sipas vetë taksistëve po i falimenton. Kjo rrezikon në përshkallëzim fizik të konfliktit mes tyre.
Taksistët kërkojnë nga bashkia që subjekti në fjalë të ketë një vend të përcaktuar në qytet për të kryer shërbimin.
Taksistët kanë kërcënuar se nëse kërkesa e tyre nuk merret në konsideratë do të përshkallëzojnë protestën në ditët në vijim.
