A është e padobishme diploma juaj master?

Të dhënat e reja tregojnë se një përqindje çuditërisht e lartë e programeve master, janë thjesht harxhim i kotë parash, shkruan The Economist. Në muajt e ardhshëm, miliona njerëz në të gjithë Hemisferën Veriore, do të aplikojnë për të ndjekur studime pasuniversitare. Shumica do të plotësojnë një diplomë universitare bachelor, me një diplomë master një ose dyvjeçare, me shpresën se kjo do t’i veçojë nga të tjerët, në një treg pune të mbushur me diploma bachelor.

“Arsyeja numër një pse njerëzit i marrin këto diploma, është pasiguria”, mendon Bob Shireman nga instituti i majtë Century Foundation, në Nju Jork.

“Është krijuar ndjesia se për të gjetur një punë, ose për të mos e humbur vendin e punës, nevojitet një diplomë master”. Sidoqoftë, mesatarisht, këto diploma ofrojnë rritje shumë më të vogël pagash sesa një diplomë universitare. Dhe një grup i ri të dhënash, tregon se ndjekja e disa degëve të caktuara të masterit, vetëm sa i përkeqëson perspektivat e karrierës.

Në Amerikë, rreth 40% e punonjësve me një diplomë bachelor, kanë marrë certifikata pasuniversitare të llojeve të ndryshme. Në dekadën deri në vitin 2021, numri i studentëve pasuniversitarë në Amerikë, u rrit me 9%, edhe pse numri i studentëve të përgjithshëm ra me 15%.

Doktoraturat e marra nga akademikët dhe diplomat profesionale që jepen për mjekët dhe avokatët, po bëhen gjithnjë e më të kërkuara. Por kurset e masterit ende përbëjnë pjesën më të madhe të rritjes së diplomave.

Ato janë një biznes edhe më i madh për universitetet britanike, të cilat japin katër diploma pasuniversitare, për çdo pesë diploma universitare. Kjo është nxitur edhe nga rritja e madhe e studentëve të masterit që vijnë nga shtete si India dhe Nigeria. Edhe britanikët nuk mbeten mbrapa. Numri i regjistrimeve në kurset e masterit është rritur me rreth 60% gjatë 15 viteve.

Kjo është nxitur pjesërisht nga punëdhënësit që kërkojnë kualifikime më të larta, pasi vendet e punës në fushat e shkencës dhe teknologjisë, po bëhen më të ndërlikuara. Por edhe universitetet janë të etur për studentë. Në Britani, tarifat universitare kufizohen nga qeveria dhe pothuajse nuk janë rritur në një dekadë.

Një mënyrë për ta përballuar këtë, është regjistrimi i më shumë studentëve pasuniversitarë, për të cilët nuk vendosen fare kufizime tarifash. Popullsia e moshës universitare në Amerikë, së shpejti do të fillojë të bjerë. Drejtorët e kolegjeve amerikane shpresojnë se institucionet e tyre do të mbahen në këmbë nga studentët që rikthehen dhe ndjekin programe të tjera.

Shumë kosto pak përfitime

Që nga viti 2000, kostoja e studimeve pasuniversitare në Amerikë, është trefishuar në terma realë, sipas Qendrës për Arsimin dhe Forcën e Punës në Universitetin Georgetown. Një huamarrës mesatar tani ngarkohet me rreth 50,000 dollarë borxh pasi ka marrë diplomën e dytë, nga 34,000 dollarë, 20 vjet më parë (sipas vlerës së dollarit në vitin 2022).

Pothuajse gjysma e parave që qeveria amerikane u jep hua studentëve shkon për studentët pasuniversitarë, edhe pse ata përbëjnë vetëm 17% të studentëve. Në Britani, studentët vendas të masterit, paguanin rreth 9,500 paund (13,000 dollarë) në vit në vitin 2021, rreth 70% më shumë se në vitin 2011, duke përfshirë në llogaritje inflacionin.

Studentët i kanë toleruar këto tarifa, duke hamendësuar se diplomat më të larta do të rrisin fitimet e tyre. “Kthimi financiar nuk është arsyeja e vetme për të ndjekur arsimin”, pranon Beth Akers nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve. Por “për shumicën dërrmuese të studentëve… kjo është ambicia”.

Në një pamje të parë, ata po bëjnë një bast mjaft të arsyeshëm. Në Amerikë, punëtorët me kohë të plotë që kanë një diplomë bachelor, fitojnë rreth 70% më shumë se të diplomuarit e shkollave të mesme. Dhe ata që marrin një master, mund të presin një fitim shtesë prej 18%.

Sidoqoftë, niveli i të ardhurave ndryshon shumë në varësi të degës dhe institucionit. Për më tepër, ata që ndjekin studime pasuniversitare, zakonisht vijnë nga familje më të pasura dhe kanë marrë nota më të mira si studentë sesa bashkëmoshatarët. Ata në përgjithësi kanë më tepër sukses në jetë, pavarësisht nga kredencialet shtesë.

Për të matur siç duhet të ardhurat reale, duhen krahasuar rezultatet e këtij grupi mendjemprehtë, me ato të njerëzve po aq mbresëlënës, që vendosën të mos kryejnë studime të mëtejshme universitare.

Duke e parë nga ky këndvështrim, një student mesatar që ka mbaruar masterin, do të fitojë jo më shumë se 50,000 dollarë shtesë gjatë gjithë jetës, falë kualifikimit master, thotë Preston Cooper, një analist në institutin kërkimor FREOPP, në Austin, Teksas, i cili mori parasysh në llogaritje edhe tarifat e paguara dhe fitimet e mundshme të humbura gjatë periudhës së ndjekjes së studimeve.

Më keq akoma, studentët e regjistruar në rreth 40% të kurseve master në Amerikë, ose nuk do të fitojnë para shtesë, ose do të pësojnë humbje financiare. Ky është një rrezik më i lartë sesa për kurset universitare bachelor, të cilat besohet se ofrojnë kthime pozitive fitimi në rreth 75% të rasteve.

Për shkak se të dhënat amerikane janë disi të paqarta, për arritjen e përfundimeve të tilla duhen bërë shumë hamendësime. Gjërat janë disi më të qarta në rastin e Britanisë, ku studiuesit kanë gërmuar të dhëna të mjaftueshme që lidhin historitë tatimore dhe arritjet arsimore të miliona të rinjve në moshë madhore.

Në vitin 2019, analistët në Institutin për Studime Fiskale, një institut kërkimor në Londër, arritën në përfundimin se një e pesta e studentëve do të ishin në një gjendje më të mirë financiare, nëse do ta anashkalonin fare universitetin.

Kohët e fundit, instituti ka hetuar kthimet e fitimit nga kurset e masterit dhe ka zbuluar rezultate edhe më të habitshme. Ai ka zbuluar se deri në moshën 35-vjeçare, të diplomuarit në master, fitojnë jo më shumë se ata që kanë vetëm një diplomë bachelor (duke marrë parasysh në llogaritje gjendjen më të mirë financiare dhe arritjet më të larta akademike të mëparshme).

Ky zbulim ishte “vërtet befasues”, thotë Jack Britton, një nga autorët e studimit. Ai gjithashtu ndryshonte nga kërkimet që përdorën të dhëna më pak të hollësishme.

Në të dyja anët e Atlantikut, zgjedhja e lëndës është faktori më i madh që përcakton nëse një master rrit të ardhurat apo jo. Në Amerikë, kthimet e fitimeve janë veçanërisht të mëdha në shkencat kompjuterike dhe në inxhinieri.

Ato janë pak më të vogla në lëndët e tjera shkencore, sepse një diplomë universitare bachelor në këto fusha, i rrit mjaftueshëm pagat. Ata që marrin diploma universitare në arsim, zakonisht fitojnë më tepër, edhe pse pagat për profesionin e mësuesit në përgjithësi, janë mjaft të ulëta.

Më të habitshme janë kthimet e mëdha negative në disa lëndë. Burrat britanikë në të tridhjetat që marrin diploma master në politikë, fitojnë 10% më pak se bashkëmoshatarët që ndjekin të njëjtën lëndë, vetëm në nivelin bachelor. Për degën e historisë, ulja e fitimeve nga masteri është rreth 20%; për anglishten është afro 30% (shih grafikun 1).

Shumë nga njerëzit që ndjekin këto degë, synojnë karriera ku e dinë se do të kenë fitime të ulëta, por mendojnë se do t’i pëlqejnë, shpjegon Dr. Britton.

Por disa vazhdojnë studime të mëtejshme në një degë të caktuar, sepse nuk e kanë vendosur ende se çfarë profesioni do të ndjekin në jetë. Prandaj, ndoshta nuk është për t’u habitur që këta njerëz fitojnë më pak në një periudhë afatmesme sesa bashkëmoshatarët që kanë nisur punën sapo kanë marrë diplomën bachelor.

Zgjedhja e institucionit ka rëndësi, edhe pse jo aq sa pritet. Në Amerikë, kostot ndryshojnë shumë në varësi të universiteteve. Por nuk ka asnjë lidhje të fortë midis çmimit të një kursi master dhe pagës që fitojnë të diplomuarit e tij, sipas Tomás Monarrez dhe Jordan Matsudaira nga Departamenti i Arsimit i SHBA-së (shih grafikun 2).

“Universitetet me emër e kanë kuptuar se mund të bëjnë pazar me namin e tyre të mirë për të mundësuar programe të caktuara që duken si prestigjioze, thjesht në teori”, thotë Dr. Cooper, “por që nuk japin një përfitim financiar që justifikon çmimin e tyre”.

Një përjashtim i rëndësishëm këtu, është masteri në administrim biznesi. Të diplomuarit në këtë degë nga institucionet më të shquara, fitojnë shumë më tepër se gjithë të tjerët.

Por në sferat e tjera të jetës, institucioni nuk është aq vendimtar për suksesin. Kjo do të thotë se një kurs me çmim të leverdishëm është një zgjedhje më e zgjuar se sa një universitet elitar.

Gratë kanë një shans më të lartë se burrat për të marrë fitime më të larta nga ndjekja e një masteri. Studimi në Britani ka zbuluar se kualifikimi master rrit fitimet për gratë në 14 nga 31 degë studimi, ndërsa për meshkujt kjo është e vërtetë vetëm për 6 degë. Kjo tingëllon e habitshme: të ardhurat për orë të burrave janë më të larta se ato të grave dhe hendeku zgjerohet më shumë me arsimimin.

Por gratë me kualifikime më të larta, kanë fitime më të mira se gratë pa këto kualifikime dhe gjithashtu zakonisht punojnë më shumë orë, sidomos kur bëhen prindër dhe janë nën trysni për të punuar me kohë të pjesshme ose për të ndalur punën.

Këto studime që tregojnë të ardhura më të dobëta për shumë të diplomuar me master, duhet t’i shqetësojnë aplikantët. Por ato ngrenë gjithashtu pyetje të mprehta për qeveritë.

Në Europë dhe Amerikë, politikanët janë akuzuar se kanë rritur kostot pa dashje. Në vitin 2016, studentët e masterit në Britani, u kualifikuan për të marrë kredi me mbështetje qeveritare, me kushte shumë bujare të shlyerjes.

Qeveria federale amerikane e kufizon masën e huasë që mund t’u japë studentëve, por që nga viti 2006, i ka lejuar studentët pasuniversitarë që të marrin hua çfarëdo shume që tarifojnë universitetet e tyre. Në të dyja rastet, paraja e lehtë ka çuar në inflacion çmimesh.

Një debat tjetër është nëse qeveritë duhet të jenë më të kujdesshme se cilat kurse programesh pasuniversitare financojnë. Në Amerikë, kredia studentore mundësohet po aq lirshëm, si për ata njerëz që studiojnë “gërshetim shportash nënujore”, dhe për ata që studiojnë drejtësi, thotë Dr. Akers.

Në vitin 2026, universitetet fitimprurëse mund ta kenë të ndaluar që të regjistrojnë studentë të cilët marrin hua para federale për të ndjekur programe që nuk çojnë në gjetjen e një vendi pune.

Por rregullat e reja nuk do të zbatohen për universitetet publike dhe jofitimprurëse, ku regjistrohen shumica e studentëve. Këto institucione thjesht duhet t’i paralajmërojnë aplikantët se programet që ata zgjedhin të ndjekin, nuk janë të leverdishme nga ana financiare për një karrierë.

Amerikanët si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, pajtohen se arsimi i lartë është “disi jashtë kontrollit”, thotë zoti Shireman. Kjo mund ta bëjë më të lehtë ndryshimin, për shembull, të sistemit të huasë për programet pasuniversitare.

Por mbetet për t’u parë se si do t’i trajtojë këto çështje administrata e ardhshme amerikane, thotë Dr. Akers. Shqetësimi është se ekipi i Donald Trump mund të përqendrohet më shumë në “poshtërimin publik” të këtyre institucioneve që janë bastione të liberalizmit, sesa në reformat politike./Monitor.al