LONDËR- Kryeministri Edi Rama po mban fjalimin e tij para shqiptarëve në Londër. Gjatë fjalës së tij Rama ka kritikuar deklaratat e ish-sekretares së brendshme britanike, Suella Braverman.
Ai e cilësoi si “mishërim i diskriminimit etnik” dhe tha se në deklaratat e saj shqiptarët i quante pushtues dhe zaptues. Ndërsa sipas tij shqiptarët aty janë për të punuar duke ndihmuar edhe ekonominë britanike që vuan për punonjës.
“Ju e mbani një ish-ministre britanike, një mishërim i politikës djallëzore i diskriminimit etnik. Doli në parlamentin britanik dhe tha se prurja e shqiptarëve ishte pushtim. Na bëri pushtues dhe jo pjesë e masës njerëzore që punon në këto toka. Na quajti zaptues sikur kishim ardhur për të vjedhur kurorën e mbretëreshës, jo sikur erdhëm për të punuar duke ndihmuar edhe ekonominë britanike që vuan për punonjës. Pas zonjës u ngritën ca tjerë që na treguan si vikingë dhe jo si burra të gatshëm për çdo punë. Dhe ambasadori jonë erdhi këtu me gomone dhe doli nga shkolla me rezultate të larta për tu adaptuar këtu.
Një gjë është e sigurt ajo teta që ju tregonte ju me gisht iku nga pushteti bashkë me shpurën e saj, kurse ju ja ku jeni. Këtu apo gjetkë kur më të mëdhenjtë janë thjesht viktima të luftës për pushtet, ajo retorikë nuk deformon vetëm të vërtetën, por të ardhmen dhe të tashmen.”, tha Rama .













