Edhe fëmija i dytë do të ishte djalë. Lindja do të shkonte mirë por problemet do të nisnin menjëherë pas kthimit në shtëpi. Foshnja kishte gjithmonë probleme, qante, i dhimte barku, kishte temperaturë. Prindërit shkonin sa në një mjek te tjetri por askush nuk mund ta ndihmonte të voglin, që në lindje ishte i prekur nga një formë leuçemie.
Në moshën 1 vjeç e gjysmë, familja Lami do të humbiste foshnjën e dytë.
Trishtimi ishte i madh, Manushaqja dhe Aleksandri nuk gjenin fjalë për të ngushëlluar njëri-tjetrin, ishin të pikëlluar, por përsëri nuk e humbën as shpresën as besimin.
Vendosin të dy të lënë Burrelin, të marrin një shtëpi me qira në Tiranë duke dëshiruar një rifillim të mbarë. Manushaqja mbetet shtatzanë e besim dhe mes lutjesh që fëmija do të lind i shëndetshëm dhe do të ketë jetën e gjatë.
Fëmija lind në Tiranë, me peshë 3.5 kilogram dhe i vendosin emrin Ardit.
Nuk kalojnë as tre javë kur i sapolinduri do të kishte probleme shëndetësore. Nisin problemet shëndetësore, ecejaket në spitale, bisedat me mjekët.
Arditi pa mbushur 4 vjeç do të diagnostikohej me fibriozë çistike, do të kishte probleme për të fituar peshë dhe një listë sëmundjesh që do t’i shfaqeshin për shkak të kësaj diagnoze.
Për Manushaqen dhe Aleksandrin hallet nuk do të kishin të sosur. Por djali jetonte e askush nuk do t’i ndalonte ata të dy, t’i jepnin njëri tjetrit kurajë, forcë se çdo gjë do të shkojë shumë mire.
Akesandri do të punonte në shërbimin ushtarak dhe në vitin 2002 do të shkonte në misionin e parë në Afganistan, ndërsa Manushaqja do të kujdesej për djalin e sëmurë e vetme. Meraku do të ishte i madh, Aleksandri mendonte shëndetin e djalit dhe gruan e tij vetëm ndërsa Manushaqja mendonte sigurinë e burrit, a do të vinte shëndoshë e mirë në shtëpi.
Jetesa, shpenzimet, spitalet, ilaçet çdo gjë duhej paguar dhe prapë për Arditin nuk kishin garanci. Prindërit e dinin se sëmundja e tij nuk mund të kurohej në Shqipëri.
Aleksandri vendos të ikë në Norvegji, me një vizë turistike për të mos u kthyer më, me shpresë për të bërë dokumentet e për të kuruar djalin.
Manushaqja e priste, i shërbente djalit, e palodhur, Aleksandri punonte, dërgonte para për të paguar shpenzimet. Një çift i ndarë përgjysmë nga mijëra kilometra por shumë pranë me zemra, mburojë për fëmijën e tyre.
Pas pesë vitesh Aleksandri kthehet, dokumentet nuk i kishte bërë dot, gjendja e djalit ishte e rënduar mes kurave e antibiotikëve, problemeve me mushkëritë të gjithë mjekët ngrinin supet.
Mes luftës për të mbijetuar, për të jetuar, për të shpëtuar fëmijën e tretë nga një sëmundje sfilitëse, Manushaqja dhe Aleksandri nuk vinin shpirtin në paqe, a duhet të bënin dhe fëmijë të tjerë?
A duhet të kishin besim që një fëmijë tjetër do ishte i shëndetshëm?
Kishin të drejtë të ishin të lumtur?
Zemrat nuk gënjejnë kurrë. Ato thanë: “Po”.
Mes dilemave, halleve, por me shpirt e ndjenjë të pastër burrë e grua vendosin ta provojnë të sjellin në jetë një fëmijë tjetër. Fëmija erdhi si dritë dielli, këtë herë ishte vajzë. E bukur, e ëmbël Klea erdhi me mbarësi e solli gëzim dhe lumturi.
Vajza shëroi dhimbjen, solli besimin aq sa, Manushaqja dhe Aleksandri vendosin të bëjnë edhe një fëmijë tjetër me urimin: “Të vij me shëndet”.
Kështu lind djali i fundit i familjes Lami, e quajtën Rubin, si një gur i çmuar.
Ndërkohë problemet shëndetësore të djalit të madh vetëm rëndoheshin, vajza po rritej, ndërsa Rubini po mbushte 2 vjeç. Dukej mirë, derisa një ditë duke luajtur me shokët, një kamion i madh i binte borisë dhe desh e shtypi… Desh u bë hataja. Nëna e kishte vënë re që Rubini nuk fliste, por edhe djali i madh 4 vjeç kishte thënë fjalët e para, e kështu që ngushëllohej se çdo gjë ishte mirë. Por kur Rubini desh humbi jetën nga mjeti, të shqetësuar prindërit e çojnë për ta vizituar. Edhe njëherë tjetër qielli u bie në kokë. Rubini nuk dëgjon nga asnjëri vesh, për pasojë as nuk fliste dot. Mjekët thanë se nuk kishte asnjë zgjidhje.
I vetmi shpëtim për djalin ishte implanti koklear, një ndërhyrje e vështirë dhe e vetmja që i kthen dëgjimin djalit. Ndërhyrja kushton shumë shtrenjtë, 30 mijë euro për të operuar vetëm njërin vesh, 60 mijë të dy veshët. Nëse operacioni nuk do të bëhej brenda vitit, Rubini rrezikonte të mos fliste dhe të dëgjonte më kurrë…
Arditi ishte katandisur kockë e lëkurë. Peshonte 36 kilogam. Temperatura nuk i kishte rënë për asnjë ditë në 3 vite rrjesht. Por as Manushaqja as Aleksandri nuk dorëzohen. Fëmijët e tyre duhet të shpëtonin. Arditi i pari, e më pas Rubini.
Bënë një pakt, asnjëri sido të shkojnë gjërat, askush nuk do të derdhë lot, nuk do të qajnë.
Zgjidhja e parë për Arditin ishte ta çonin në Angli me kamion. Por, Askush nuk pranonte nga shoferët të merrte një djalë të sëmurë, edhe për më shumë para, rrezikohej të humbiste jetën në kamion.
Vunë në zbatim planin e dytë; Aleksandri do të udhëtonte me Arditin në Francë. Do ta linte para rajonit të policisë djalin me sëmundje të rëndë, për të mos e kthyer më kokën pas. Me një dosje mbushur plot me dokumente ku tregoheshin sëmundjet, ilaçet, reaksionet dhe çdo gjë tjetër Arditi do të luante me fatin e tij, fillikat i vetëm për të shpëtuar jetën.
Kështu u bë. Aleksandri e përcolli djalin para stacionit të policisë. Mori gruan në telefon:
“Manushaqe e lashë, Arditi është i fortë, më ngjan mua. Po kthehem në Shqipëri, por mos guxo të qash”.
Të dy gënjyen, të dy qanë me lot, Manushaqja nga një krah i telefonit, dhe Aleksandri nga krahu tjetër…
Të dy prindërit lanë zemrat në Francë, te Arditi që kërkonte shërim për jetën dhe shpirtrat në Tiranë mes lutjesh që Rubini të thotë të paktën një herë të vetme: “O Nëna ime”…














