Grantet e BE-së për Ballkanin Perëndimor, ja cili vend përfiton më shumë për numër banorësh?

TIRANË- Komisioni Evropian ka miratuar ditën e sotme agjendat e reformave për 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Bosnje & Hercegovinës. Në mbledhjen e sotme është bërë hapi kyç për të mundësuar pagesat e para të granteve të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Ndërkohë që Bosnjë e Hercegovina ka mbetur vendi i vetëm që agjenda e reformave nuk është miratuar pasi nuk e dorëzoi në kohë. Në planin e mbështetjes së BE-së janë gjithsej 6 miliardë euro grante, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.

BE-ja synon të ndajë shtatë për qind të totalit të fondeve nga Plani i Rritjes për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor që miratojnë Axhendat e Reformave të vlefshme, si parafinancim. Ky mjet, që mbulon periudhën 2024-2027, është një mekanizëm financiar i BE-së me vlerë gjashtë miliardë euro, i miratuar me synimin për të dyfishuar rritjen ekonomike të rajonit në dhjetë vitet e ardhshme.

Sipas European Western Balkans (EWB) Serbia do të marrë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Shqipëria 922 milionë, Kosova 888 milionë, Maqedonia e Veriut 807 milionë dhe Mali i Zi 383.5 milionë. Në pamje të parë duket se Serbia është vendi që do të marrë më shumë përfitime nga BE-ja, por nëse llogarisim shumën e ndarë nga Komisioni Evropian me numrin e banorëve të vendeve, renditja ndryshon.

Vendi i parë që do të përfitojë më shumë është Mali i Zi i cili do të marrë 600 euro për banorë. Ndërkohë që në vend të dytë vjen Kosova me 560 euro për banorë, ndërsa vendin e tretë e merr Maqedonia e Veriut me 440 euro për banorë.

Shqipëria sipas përllogaritjes është e katëra, pasi pritet të përfitojë 383 euro për banorë. Ndërsa Bosnje & Hercegovina ndodhet në vend të 5 me 300 euro për banorë. Dhe kështu në vend të fundit është Serbia me 230 euro për banorë.

Lista me vendet dhe pagesat:

Serbia: 1.58 miliardë euro/ 6,721,559 banorë = 230 euro

Bosnja dhe Hercegovina: 969 milionë euro/ 3,156,745 banorë = 300 euro

Shqipëria: 922 milionë euro/ 2.402.113 banorë = 383 euro

Kosova: 888 milionë euro/ 1,586,659 banorë = 560 euro

Maqedonia e Veriut: 807 milionë euro/ 1,820,173 = 440 euro

Mali i Zi: 383.5 milionë euro/ 636,707 banorë = 600 euro