TIRANË- Gjykata e Tiranës ka nxjerrë nga qelia Mariela Berishën, autoren e sulmit brutal ndaj 24-vjeçares, Klea Prenga, duke i caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndërkohë masa për Antonela Berishën është “detyrim paraqitje”. Dy motrat janë vetëdorëzuar tre ditë më parë në Policinë e Tiranës. Gjykata vendosi fillimisht “arrest me burg” për Mariela Berishën dhe “arrest shtëpie” për Antonela Berishën, ndërsa në seancën e sotme masat janë ndërruar.
Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Berisha teksa ishte duke darkuar në një restorant në kryeqytet, mbrëmjen e 6 gushtit 2024. Teksa ishte duke ngrënë motrat e kanë goditur me sende të forta, shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në fytyrë. Dy motrat, Antonela dhe Mariela Berisha akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim. Para disa muajsh motra e Antonelës është ndarë nga partneri me të cilin ka edhe një djalë. Mariela duket se nuk e ka pranuar këtë ndarje dhe dyshon se partneri e ka tradhtuar me Klean.













