Merr flakë apartamenti në Elbasan

Përfshihet nga flakët një apartament në katin e dytë të një pallati në lagjen “Visarjon Xhuvani”, në Elbasan.

Zjarri u shfaq fillimisht në ambientet e kuzhinës dhe më pas u përhap në pjesët e tjera të apartamentit, duke marrë përmasa të mëdha dhe duke dalë jashtë dritareve dhe ballkonit.

Në vendngjarje ndërhynë menjëherë mjetet dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, të cilët arritën të lokalizojnë dhe shuanin flakët, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Paraprakisht, sipas gazetares së Infoweb Media, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rrjedhja e gazit në kuzhinë.

Fatmirësisht, nuk raportohen dëme në njerëz, ndërsa autoritetet po hetojnë për të zbuluar shkakun e saktë të ngjarjes dhe për të përcaktuar dëmet materiale.

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 09:30, në lagjen “Visarjon Xhuvani”, dyshohet për shkak të shpërthimit të një bombole gazi, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit F. K., 60 vjeç, në katin e tretë të një pallati.

Nga përhapja e flakëve janë shkaktuar dëme materiale në njërën prej dhomave të banesës.

Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit.