Pas përmbytjeve, ujërat në rrugët e Vlorës janë tërhequr, teksa ka nisur shpërndarje e ndihmave për familjet e prekura dhe pritet dhe vlerësim i dëmeve në banesa dhe biznese. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha deklaroi se gjatë 24 orëve pas përmbytjeve, të gjitha strukturat e Bashkisë së Vlorës kanë punuar me përkushtim për t’u përballur me pasojat e reshjeve të dendura, duke përfshirë ekipet e pastrimit, shërbimet emergjente, si dhe mbështetjen nga Ministria e Mbrojtjes.
Ai shtoi se në ditët në vijim, bashkia, së bashku me grupet e dedikuara, do të dalë në terren për të ndihmuar qytetarët dhe për t’u siguruar që ata marrin mbështetjen financiare të nevojshme, për të rikthyer normalitetin në jetët e tyre.
“Problematikë mbeten garazhet e pallateve. Kemi bërë një strategji të qartë si do të operojmë për garazhet e pallateve. Janë 9 në total garazhe pallatet që do të ndërhyjmë. Do të ndërhyhet dhe në lagjen ‘Kushtrimi’ por këtu problematika është e vështirë. Problematika është më e madhe se është zonë informale.
Do të jemi të bashkërenduar duke takuar çdo qytetar për të treguar gjithë hallkat që do të ndjekin nëse do të ketë trajtim financiar dhe jo vetëm. Njerëzit të jenë të qetë se aq sa kemi ne në dorë do të bëjmë maksimumin tonë për ti ndihmuar të kthehen në normalitet. Duke pasur dhe trajtimin financiar që i takon.
Ju kërkojmë ndjesë që nuk mund të menaxhonim më shpejt se kaq. Por siç e patë dhe vetë ishte përtej mundësive njerëzore, pasi ishin gati 180 mln shi në second që kanë rënë për dy orë e gjysmë. Ne do të jemi në gadishmëri”, tha Dredha.
