Shqipëria po njeh një interes të ndjeshëm turistik nga të huajt dhe trashëgimia kulturore është çelës për një turizëm të qëndrueshëm.
Muzetë dhe objektet e trashëgimisë kulturore në qytetet më të rëndësishme turistike të vendit në mungesë të vëmëndjes dhe investimeve nuk i përgjigjen këtij zhvillimi turistik.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një nga më të rëndësishmit në Shqipëri, por vazhdon të mbetet i mbyllur që nga nisja e punimeve për rikonstuksionin e godinës më shumë se 2 vjet më parë, duke lënë kështu në hije historinë e një qytetërimi afro 3 mijë-vjecar.
Më i madhi në vend, një muze i përmasave të tilla numëron mbi 3 mijë artefakte, që dëshmojnë zhvillimin e qytetit nga antikiteti deri në mesjetë.
Punimet që nisën për riparimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i vitit 2019, ishin parashikuar të përfundonin brenda 17 muajve, por tejkaluan afatin. Godina e Muzeut Arkeologjik vazhdon të jetë e mbyllur, ndërsa nuk ka ende asnjë informacion se kur do të hapë dyert për vizitorët.

Durrësi, një nga qytetet antikë më të rëndësishëm në Mesdhe sa i përket historisë e arkeologjisë, vuan sot mungesën e një muzeu që do mund t’i dëshmonte turistëve kulturën e ndërtuar ndër shekuj e mijëvjecarë.
Marin Haxhimihali, profesor arkeologjie, thotë se Durrësi është tepër i rëndësishëm nga ana historike dhe trashëgimia për t’u lënë në këtë gjendje.

“Durrësi është një nga qytetet antikë më të rendësishëm jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Mesdheun. Aty jeta ka filluar që thuajse 3000 vite më parë dhe ka vazhduar pa asnjë ndërprerje deri në ditët tona. Shumë kultura, shumë tradita ndërthuren në këtë qytet dhe është krejtësisht e pakuptueshme se si në vitin 2024 ky qytet kaq i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Europën, të jetë pa muze arkeologjik”.
Ai ngre shqetësimin e madh të shkatërrimit të trashëgimisë nga ndërtimet pa kriter që kanë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme pasurinë tonë arkeologjike. Haxhimihali thekson se një muze do të lehtësonte disi këtë plagë.
“Sikur të mos mjaftonte masakra që është bërë në 20 vitet e fundit, me ndërtimet ku sic dihet qartë janë sakrifikuar e masakruar monumente të rëndësishme, shtresa kulturore me dëme të pariparueshme për trashëgiminë kulturore, pra sikur të mos mjaftonin, këtyre I shtohet edhe mungesa e një muzeu. Të paktën prania e muzeut do mund të lehtësonte plagën që I është shkaktuar arkeologjisë në Durrës. Këtu nuk është fjala për një qeveri të caktuar sepse dëmet kanë qenë të vazhdueshme që nga viti 2000 e këtej.
Pra nuk është fjala për të vënë gishtin, por fakt është që nga njëra anë Durrësi përmendet në burimet historike, ka dëshmi të drejtëpërdrejta arkeologjike dhe nga ana tjetër nuk kemi asgjë të prekshme vec amfiteatrit i cili nuk është i germuar tërësisht. Prania e një muzeu në Durrës është e domosdoshme”- shprehet ai.
Elbasani vuan gjithashtu mungesën e një muzeu arkeologjik. Në këtë qytet, të cilit nuk i mungojnë objektet historike e pasuritë arkeologjike që dëshmojnë një zhvillim të hershëm, e vetmja godinë që tërheq interesin e vizitorëve është ajo e muzeut etnografik, që pritet të restaurohet.

Elbasani mbetet një pikë ndalese për të gjithë turistët që vizitojnë Shqipërinë e megjithatë Muzeu Etnografik është i vetmi muze i hapur për qytetarët dhe vizitorët.

Pandi Suli, ish mësues historie thekson rëndësinë e muzeve në mbajtjen gjallë të kulturës dhe tejçimin brez pas brezi të saj. Sipas tij qyteti i Elbasanit është për të ardhur keq, pasi nuk ka asnjë muze historik apo arkeologjik që të dëshmojë vlerat kulturore të një qytetërimi qindra vjeçar.
“Nuk mjafton vetëm ky muze, Elbasanit i nevojitet muzeumi historik, po atje ka resort tani. Kjo është për të ardhur keq. Unë kam qenë mësues i historisë dhe gjeografisë dhe më vjen keq të dëgjoj se qytete si Berati, Lezha, Tirana përmenden për antikitet ndërkohë që Elbasani nuk zihet me gojë”- thekson Suli.

Për momentin në Elbasan të vetmet pika të vizitueshme nga turistët janë Muzeu Etnografik si dhe Bazilika Paleokristiane e zbuluar në gërmimet e vitit 2007-të. Të gjitha materialet e zbuluara në Elbasan enden andej-këndej në ekspozime të rastësishme ose të magazinuara duke mos i dhënë mundësinë vizitorëve të njihen me pasuri të rëndësishme arkeologjike që rezervon Elbasani.


Ndërsa Durrësi e ka muzeun dhe pret ta restaurojë, Elbasani nuk ka në projektet e afërta një të tillë duke lënë kështu një qytet mijëravjeçar pa identitet dhe jasht tërheqjes turistike
Por mesa duket problemi i mungesës së politikave kulturore është me i gjerë pasi nuk prek vetëm Shqipërinë, por shtrihet në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Albina Vickovic, kolegia jonë nga Tuzla ka bërë një analizë të situatës në Bosnje Hercegovinë, ku thekson se trashëgimia kulturore rrezikon të zbehet si pasojë e politikave të këqija dhe mungesës së investimeve.
Në shkrimin e saj Vickovic na paraqet një pamje të qartë të gjithë problematikës.
Megjithëse Muzeu i Bosnjës Lindore në Tuzla u themelua në vitin 1947 dhe ka pesë departamente specialistike – Arkeologjia me 11,514 ekspozita, Etnologjia me 1,653 ekspozita, Historia me 9,800 ekspozita, Historia Natyrore me 762 ekspozita, dhe Arte Të Bukura me 650 ekspozita, së bashku me një bibliotekë të specializuar me 11,554 libra – shumica e koleksioneve dhe ekspozitave kanë qenë të paarritshme për publikun për vite me radhë për shkak të hapësirës së papërshtatshme që zë Muzeu. Në Bosnje dhe Hercegovinë, ky muze nuk ka pasur kurrë një hapësirë të dedikuar për vete. Vetëm 60 metra katror hapësirë ekspozimi janë të disponueshme, të cilat janë të pamjaftueshme për shumicën e koleksioneve, veprave të artit dhe artefakteve për t’u ekspozuar për publikun, duke lënë thesare kulturore të çmuara të ruajtura në depo të shpërndara nëpër qytet.

I themeluar fillimisht si Muzeu i Luftës për Clirimin Kombëtar në vitin 1947, Departamenti Historik i Muzeut të Bosnjës Lindore është departamenti qendror nga i cili janë zhvilluar departamentet e Arkeologjisë, Etnologjisë, Artit dhe Histori Natyrore (Koleksioni Biologjik) – ky i fundit ndodhet në një vend krejtësisht të ndryshëm në Tuzla, të ndarë nga hapësira ekspozuese e Muzeut.
Departamenti Arkeologjik i Muzeut të Bosnjës Lindore ka 11,514 objekte të regjistruara, të kategorizuara sipas koleksioneve: Parahistoria (8,131), Antikiteti (1,492), Mesjeta (1,586), dhe Numizmatika (305).
Shumica e materialit arkeologjik të mbajtur nga Muzeu i përket periudhës parahistorike, të mbledhura gjatë gërmimeve në shumë vende parahistorike në veri-lindje të Bosnjës, duke përfshirë vendet e njohura të Gornja Tuzla dhe qendrën e Tuzlës. Këto artefakte konfirmojnë se zona ka qenë e banuar që nga periudha Paleolitike dhe Neolitike, përmes antikitetit, me prova të forta që Tuzla ka pasur një prani të vazhdueshme njerëzore për rreth 7,000 vjet.
Artefakti më i çmuar në Muze, sipas drejtorit të tij Ljubiša Veljaković, vjen nga Departamenti Arkeologjik – një relief Mithraik që dëshmon për praninë e kultit Mithras në veri-lindje të Bosnjës gjatë Perandorisë Romake, rreth 1,500 vjet më parë. Fatkeqësisht, ky artefakt nuk është i disponueshëm për publikun dhe mbetet në depo.

Por ky nuk është i vetmi artefakt i cili qëndron larg syrit të publikut dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së hapësirës, e cila jo vetëm tek vizitorët, por edhe tek komuniteti shkencor.
Kërkuesit kanë qasje të pjesshme në artefakte kyçe që mund të kontribuojnë në zbulime të reja rreth historisë së Bosnjës dhe Hercegovinës. Njëkohësisht, brezat më të rinj janë të privuar nga mundësia për të lidhur me trashëgiminë kulturore të vendit të tyre, duke ndikuar në kuptimin e identitetit dhe traditës.
Prodhimi i kësaj historie u mbështet nga Fondacioni Thomson, si pjesë e projektit Kultura dhe Kreativiteti për Ballkanin Perëndimor (CC4WBs). Historia u krijua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.













