SHKODËR- Një nga autorët e vrasjes së Valter Fjerzës në Shkodër është vënë në pranga ditën e sotme. 23-vjeçari Fierza u vra shtatorin e kaluar nga vëllezërit Mëhilli. Sot në Shkodër është arrestuar një nga autorët e vrasjes Luçian Mëhilli. Ndaj 21-vjeçarit Mëhilli, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Si rezultat i kërkimeve dhe punës së inteligjencës policore, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 21-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në fshatin Hot i Ri, rreth 1 vit më parë. Deri tani, për këtë rast, Policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe vijon punën për ndalimin e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim.
Në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, më datë më 21.09.2023, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. M., 21 vjeç, banues në Shkodër.
Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 21-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të vënë në pranga nga Policia, ka vrarë shtetasin V. F., 33 vjeç.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka vënë në pranga dhe shtetasin E. D., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe po punon për kapjen e shtetasit A. M., të kërkuar për të njëjtat vepra penale. Pas ngjarjes, nga kontrollet në lokalin në afërsi të vendit ku u krye vrasja, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në trajtë boçeje, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Si u vra Valter Fjerza?
Valter Fjerza u vra mbrëmjen e 21 Shtatorit për shkak të një debati për parkimin e një automjeti në Han të Hotit, në Shkodër. Sipas dosjes hetimore, njëri nga vëllezërit Mëhilli, Klodjan Mëhilli, në konflikt e sipër ka nxjerrë një armë zjarri pistolete duke ja vendosur në gjoks, Klevis Fjerzës. Në këtë moment kanë ndërhyrë dy shokët e këtij të fundit Gjok Qukaj dhe Agostin Lugaj, duke bërë të mundur heqjen e pistoletës nga dora e Klodjan Mëhillit. Mëhilli ka qëlluar në drejtim të automjetit që drejtohej nga Valter Fjerza, ku si pasojë e të shtënave, ky i fundit ka marrë plumb në kokë, duke humbur jetën në vend. Pas kryerjes së krimit tre vëllezërit Mëhilli dhe dy kushërinjtë e tyre Aleksandër Mëhilli dhe Enton Dushaj, jane larguar nga vend i ngjarjes.
