Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë me një diferencë të dukshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit për nga numri i kërkesave azil për në Bashkimin Europian, në gjysmën e parë të këtij viti. Raporti i fundit i Agjencisë Europiane për Azilin (EUAA) thotë se 3,778 kërkesa për azil u paraqitën për herë të parë në një vend të Bashkimit Europian nga shtetasit e Shqipërisë nga janari deri në qershor të këtij viti.
Numri më i lartë i kërkesave për azil të shtetasve nga Shqipëria u regjistrua në Itali, Greqi dhe Francë. Edhe numri i kërkesave për azil nga shtetasit e Kosovës në një vend të Bashkimit Europian ishte i lartë, duke shënuar 3,375 persona kërkesa në gjysmën e parë të këtij viti. Ndërkohë vendet e tjera të rajonit të Ballkanit kanë një numër më të ulët kërkesash të shtetasve të tyre të paraqitura për herë të parë për azil në një vend të Bashkimit Europian në 6 muajt e parë të këtij viti.
