‘Nuk ka pushime nga puna në Kurum. Punëtorët që do mbeten pa punë do paguhen me 35000 lekë’! Marrëveshja që u arrit sot me negocimin e kryebashkiakut Gledian Llatja

Problemi i punësimit të punëtorëve të Kurum mbetet një shqetësim imediat në Elbasan.

Janë rreth 500 punëtorë që preken direkt nga ndërprerja e prodhimit dhe që mund të mbeten të papunë duke krijuar probleme të mprehta sociale në këtë qytet.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur takime të ndryshme nga Inspektoriati i Punës, ministritë e linjës dhe nga pushteti vendor.

Bashkia e Elbasanit është më e interesuara për zgjidhjen e problemit.

Për këtë qëllim kryetari i kësaj bashkie, Gledian Llatja ka zhvilluar disa takime me drejtues të firmës.

Llatja deklaroi sot se ka pasur shqetësim të vazhdueshëm nga qytetarët e Elbasanit të punësuar në këtë kompani e cila ka problematika për mbylljen e ciklit të prodhimit.

Ai deklaroi se i ka kërkuar shpjegime kompanisë dhe se kontaktet kanë qenë të vazhdueshme.

Sot ka qenë negociata e fundit me bordin drejtues në mënyrë që të mos ketë largime nga puna.

Kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se sot u arrit që asnjë punëtor të mos largohet nga puna.

Deklarata e kryabashkiakut Gledian Llatja:

‘Kemi patur një shqetësim në lidhje me punonjëset e Kurum, që u shprehën për mbylljen e prodhimit për shkak të problemave ekonomike. Ky është një proces që ka ndodhur për disa vite në Kurum, ku prodhimi është mbyllur por punonjësit nuk janë larguar nga puna, i kemi kërkuar më shumë shpjegime kompanisë gjatë gjithë këtyre ditëve.

Edhe gjatë ditës së djeshme kemi patur takime, kemi pritur vendimin e bordit të kompanisë. Sot patëm një negociatë të fundit, ku arritën një konkluzionin që në bashkëpunim më sindikatën, që asnjë punonjës të mos largohet nga puna. Për petëzimin, kompania do angazhohet maksimalisht për të mbyllur procesin e investimit.

Të gjithë punëtorët e çelikut do të jenë në punë, asnjëri prej tyre nuk do të marrë pagesë nën 35 mijë lekë bruto në muaj, të gjithë do marrin dietën ushqimore. Ata që do jenë në punë, do paguhen me 100% të pagesës, ndërsa ata që do jenë në shtëpi, do të paguhen sipas kontratës kolektive’.