Qëllohet dhe vr*itet me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte një burrë! E bija e gjen pas 2 ditësh të vdekur

Një 68-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri në banesën e tij në fshatin Lajthizë në Mirditë. 68-vjeçari, F.R., kalonte muajt e verës në këtë banesë, por ka gjetur vdekjen në rrethana ende të paqarta. Sipas policisë, ai është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte.

68-vjeçari është gjetur dy ditë pas vrasjes nga e bija. Pasi ka humbur kontaktet me babanë, e bija ka shkuar në banesë, por të atin e ka gjetur të shtrirë në banesë pa shenja jeta. Më datë 20 gusht ajo ka bërë denoncimin në polici se ka gjetur babanë të pajetë, ndërsa kontaktet me të i kishte humbur prej datës 18 gusht.

“Më datë 20.08.2024, shtetasja L. R. ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin F. R., 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët.

Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën.

Deri në këto momente janë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, disa shtetas, banorë të këtij fshati. Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat”, njofton policia.