Incident me presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit. Sigurimi tenton ti marrë celularin. Presidenca: Rast i paprecedent!

Një incident i ka ndodhur ditën e sotme presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, e cila ndodhej aty tranzit për të shkuar në Slloveni.

Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është tentuar ti merret telefoni celular nga sigurimi i aeroportit, kjo ka shënuar edhe një konfrontim mes sigurimit apo stafit të Presidentes Osmani dhe sigurimit të aeroportit të Shkupit.

Pas incidentit, ka reaguar Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes, i cili tha se veprimi i zyrtarit të sigurimit është në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare, ndërsa e cilësoi si të paprecedentë.

“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse”, theksoi ai.

Pas incidentit që i ndodhi presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, ka reaguar zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili u shpreh se rasti ishte një keqkuptim.

“Jemi duke u marrë me rastin në fjalë. Ka qenë më shumë keqkuptim, gjithçka është në rregull”, tha Mexhiti.

Lidhur më këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se menjëherë pas kësaj është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe se po merren masa për zbardhjen e incidentit.