Një breshër shkatërrues dëmtoi një ditë më parë fermerët e Gjinarit. Në disa minuta ranë në tokë pemët, misri, zarzavatet dhe foragjeret. Fermerët thonë se një stuhi e tillë në formën e një tornadoje nuk ishte jetuar më parë. Ata thonë se gjithcka u rrëzua në pak minuta dhe puna e tyre shoki dëm. Për pasojat e mëdha ata kërkojnë mbështetje dhe kompensim si pasojë e fatkeqësisë natyrore.

“Na ka dëmtuar, 100% prodhimin e këtij viti dhe 50% për vitin tjetër. Shikojeni rrushin, pemët frutore që janë dy vjeçare”- shprehet një fermer i zonës.
“Jemi zero. Duhet t’ja fillojmë nga e para prap, shumë dëme të mëdha. Kemi parë që ka ndodhur në vende të tjera, menduam që do shpëtonim, po ja që nuk i shpëtuam. Ishte e paparë! Katastrofë! Janë dëmtuar të gjitha prodhimet bujqësore dhe blegtorale”- u shpreh një tjetër.
Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me emergjencat civile janë duke verifikuar dëmet në terren. Administratori Emanuel Hida thotë se relacionin e dëmëve do tja përcjellin institucioneve përgjegjëse.

“Dje morëm njoftimin që dje ka ndodhur një stuhi e tmerrshme. Dëmet janë të jashtëzakonshme, në katër fshatra, në Gjinar, në Maskarth, Dërstilë e Bashtresh.
Ne si bashki kemi ngritur grupin e punës sëbashku me Drejtorinë e Bujqësisë dhe Emergjencat Civile. Sot kemi dalë në terren për të verifikuar dëmet e shkaktuara”- u shpreh ai.
“Dëmet janë shumë të mëdha, jemi duke verifikuar çdo fermer. Dokumentacionin përkatës do t’ja dërgojmë më pas Bashkisë dhe instancave të tjera që të bëjnë vlerësimin e dëmeve”- tha gjithashtu administratori.
Të dëmtuara kanë mbetur edhe disa automjete, një gje e jashtëzakonshme që nuk kishte ndodhur më parë.
