Përcillet për në banesën e fundit poeti Agim Doçi, flasin familjarët: Nuk e mori pensionin që i takonte. I bënë vrasje politike!

TIRANË- Përcillet ditën e sotme për në banesën e fundit poeti i ndjerë Agim Doçi. Ai ndërroi jetë pas disa ditësh luftë me gjenden e rënduar shëndetësore.

Doçi pësoi të shtunën e 22 qershorit hemorragji celebrale dhe prej disa ditësh ndodhej në reanimacion. Gruaja e poetit, Yllka Doçi ka folur teksa zhvillohej ceremonia e përcjelljes, duke thënë se ai nuk arriti të merrte pensionin që i takonte prej 11 vitesh.

“Agimi nuk është vlerësuar sa duhet. Një mjeshtër si Agim Doçi nuk arriti të merrte as pensionin që i ka takuar prej 11 vitesh. Agimit i është bërë vrasje politike.” tha Yllka Doçi.

Ndërkohë e motra e poetit të mirënjohur, shprehet se asnjë institucion nuk i është ofruar për ti bërë homazhet.

“Nuk është se na u ofrua ndonjë për homazhe, mendoj se ai është shumë i kënaqur që donte dashurinë e njerëzve dhe jo të institucioneve.” tha e motra e të ndjerit.

Doçi ishte autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë perfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës ku mund të përmenden këngë shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajsia”.