Flokë të dobët dhe pa shkëlqim? Ja përbërësit ushqimorë që do t’ju ndryshojnë jetën

Për të pasur flokë të shëndëtshëm dhe plot shkëlqim, zakonisht shumë prej nesh përdorin maska, vajra dhe serume të ndryshme. Por a e dini se ushqimet që konsumoni luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e flokëve tuaj?

Zinku
Ky mineral është thelbësor për sintetizimin e keratinës dhe kolagjenit. Ai nxit rritjen e flokëve dhe forcon fibrat e tyre. Për një rritje të sasisë së zinkut, shtoni në menunë tuaj midhjet, të verdhat e vezëve, mëlçinë e viçit, tërshërë, farat e kungullit, farat e susamit, arrat.

Hekuri
Një element thelbësor i hemoglobinës është hekuri dhe ky përbërës është jetik për t’u dhënë flokëve oksigjenin që u nevojitet për t’u rritur. Mëlçia e viçit, thjerrëzat, qiqrat, fasulet e zeza, spinaqi, arrat dhe majdanozi janë të pasura me hekur.

Omega-3
Omega-3 ushqejnë folikulat e flokëve dhe kanë një veprim anti-inflamator në lëkurën e kokës. Ato forcojnë flokët, i ushqejnë dhe parandalojnë rënien e tyre. Ju mund të gjeni omega-3 te sardelet, salmon, vezë, vajra bimore, fara liri, fara chia, arra dhe sojë.

 Vitamina B
Vitamina B nxit prodhimin e keratinës dhe redukton brishtësinë e flokëve. Ushqimet ku gjendet vitamina B janë spinaqi, lakër jeshile, brokoli, mishi i viçit, pula, salmoni, toni, trofta, veza, qumështi, qiqrat dhe thjerrëzat.

 Proteinat
Flokët përbëhen nga mbi 90% proteina. Prandaj, është e rëndësishme të merrni proteina çdo ditë. Për marrjen e proteinave rekomandohet të konsumoni mishin e pulës, gjelit të detit, vezët, salmonin, farat e lulediellit, orizin integral.