Kapet në aerportin e Korfuzit, arrestohet në Greqi vrasësi i dyshuar i recepsionistit të hotelit në Dhërmi

Është arrestuar në Greqi, Gerald Shehu, vrasësi i dyshuar i recepsionistit 31-vjeçar Eraldo Nevruzi në një hotel në Dhërmi.

Mësohet se Shehu është prangosur në aeroportin e Korfuzit, dyshohet gjatë tentativës për t’u arratisur në Britaninë e Madhe.

Gerald Shehu, i cili është njëkohësisht bashkëpronar i “Hotel Greccia” në Dhërmi, dyshohet se ka rrëmbyer recepsionistin nga Tirana, 31-vjeçarin Eraldo Nevruzi dhe pasi e ka dhunuar e ka ekzekutuar.

Shehu e ka rrëmbyer recepsionistin dhe e ka dhunuar, ndërsa rreth orës 00:30 dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri duke e ekzekutuar. Trupi i pajetë i 31-vjeçarit nuk është gjetur ende.

31-vjeçari dhe autori i dyshuar që e ka qëlluar kanë qenë shokë me njëri-tjetrin. Kohët e fundit ata kanë shkuar për të hapur një biznes bashkë si dhe kanë bashkëpunuar në hotelin ku ka ndodhur ngjarja. Policia dyshon se është vrasje pasi nga dëshmitë janë dëgjuar dy të shtëna me armë zjarri dhe po ashtu janë gjetur gjurmë gjaku. Pamjet filmike nuk janë të qarta se si është larguar 31-vjeçari.