TIRANË- Aktori i njohur i humorit, Julian Deda, i cili u rendit në vendin e dytë në edicionin e tretë të Big Brother VIP, ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale, pas përfundimit të reality show-t. Deda ka folur në reagimin e tij për eksperiencën dhe përjetimin e tij brenda shtëpisë së BBVA, duke thënë ndër të tjera se edhe pse e ka shijuar, rrugëtimi ka qenë i vështirë.
“Normalisht aty njëri nga ne do të fitonte. Unë të them të drejtën jam munduar të tregohem me sa më shumë ngjyra dhe emocion, nganjëherë me sa më shumë kalkulime dhe lojë. Por jam munduar të jem i matur edhe pse nganjëherë na ka rrëshqitur edhe këmba. Ajo që ma ka bërë më të lehtë këtë rrugëtim është mbështetja juaj, e secilit prej jush. Është një mbështetje organike, e dashur. Pa shumë lutje, që aman më mbështesni, ka qenë dashamirëse nga ju. Për këtë doja të ju falënderoja pafund”, tha Juli në postimin e tij në Instagram.
Ndër të tjera, ai thotë se lirinë e fjalës nuk ja ndalon dot askush, aq më pak sot në demokraci. Teksa ka falenderuar publikun për çdo mesazh dhe votë, Juli shprehet se gjatë ditëve në vijim do të sqarojë disa “kleçka” ndërsa thotë se me votat e publikut ishte ai që fitoi Big Brotherin. Aktori ka paralajmëruar se në ditët më tej do të komunikojë sërish me publikun.
Edicionin e tretë të Big Brother VIP Albania e fitoi aktorja Egla Ceno përballë Julian Dedës, të cilit ishin dyshja e fundit që luftuan për çmimin 100 mijë euro.
