Çelet sezoni i llixhave në Elbasan, bie numri i vizitorëve

Është çelur sezoni kurativ në llixhat termale në Elbasan.

Pranvera dhe vjeshta janë dy sezonet kur llixhat e Treganit në Elbasan mirëpresin pacientë nga qytete të ndryshme të vendit por edhe nga rajoni, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Vizitorët kryesisht janë mosha e tretë, të cilët thonë se llixhat i frekuentojnë për të kuruar problemet shëndetësore. Janë të kënaqur me mikpritjen dhe çmimet e favorshme.

Biznesi i hapur rishtaz ofron një paketë të plotë shërbimesh, duke filluar nga 40 euro për dhomë, ku përfshihen ushqimi, fjetja dhe trajtimet me baltë. Pavarësisht çmimeve të lira, pronarët e bizneseve thonë se këtë sezon ka rënë numri i vizitorëve.

“Liberalizimi i vizave për shtetasit kosovarë dhe ekonomia e dobët janë dy nga faktorët që po i çojnë drejt falimentimit”, Nosti Mema, administrator.

Llixhat e Elbasanit janë një destinacion unik për turistët që kërkojnë shërbime kurative dhe relaksim në një mjedis natyror dhe pishinë të hapur termale.